“Dorian” largohet nga Bahamas – Lë pas vetëm rrënoja. I drejtohet Floridas me fuqi të reduktuar
Uragani Dorian është larguar nga ishujt Bahamas duke lënë pas vetëm rrënoja dhe zyrtarët po përgatiten për nisjen e një krize humanitare.
Pamjet ajrore të regjistruara mbi ishullin Abaco treguan lagje të përmbytura, ndërtesa të shkatërruara dhe varka të kthyera përmbys.
Pak prej ndërtesave që nuk ishin shkatërruar, u mungonte çatia. Ndërkohë që stuhia është zvogëluar në Kategorinë 2, sipas shkallës Saffir-Simpson, Dorian ka filluar të zmadhohet në përmasë dhe erërat kanë rifituar shpejtësi.
Parashikuesit bënë të ditur se do t’i afrohet në mënyrë të rrezikshme bregut të Floridas ditën e ardhshme, ku më shumë se 1 milionë personave i është dhënë urdhër që të evakuohen.
Kryeministri Hubert Minnis tha se numri i vdekjeve si pasojë e stuhisë ka arritur në 7 persona. “Presim që numri të jetë më i madh. Ky është informacion paraprak”, tha ai.
Ndërkohë që telefonat dhe linjat e emergjencës janë shkëputur në Abaco dhe Grand Bahama, banorët kanë postuar listën e personave të afërt që kanë humbur në mediat sociale.
Një postim i vetëm në Facebook që ftonte njerëzit të shkruanin emrat e personave të humbur mori më shumë se 1,600 komente, ku listoheshin të afërmit e tyre.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve, Dorian bart erëra të qëndrueshme prej 175 kilometra për orë dhe po lëviz në Veri Perëndim me 9 kilometra për orë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.