“Dorian” vret 5 persona në Bahamas – Stuhia e fuqishme pritet t’i drejtohet Floridas
Uragani Dorian goditi ishujt Bahamas ditën e Hënë, ku la të paktën 5 persona të vdekur dhe i është drejtuar Floridas, ku më shumë se 1 milionë njerëzve i është dhënë urdhëri i evakuimit. Dorian, një nga uraganët më të fuqishëm të Atlantikut në histori, ka qëndruar në ishullin Grand Bahama për thuajse 40 orë, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve.
Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që të mos dalin nga streha deri sa qendra e uraganit të kalojë. Të paktën pesë persona kanë vdekur në ishujt Abaco, në Veri të Bahams, sipas Kryeministrit të vendit Hubert Minnis. Ai shtoi se roja bregdetare e SHBA ka arritur në Abaco dhe ka shpëtuar shumë persona të plagosur.
Sipas dëshmitarëve në ishull për Reuters, erërat kanë shkulur çatitë e hoteleve ku ata qëndronin. Dorian kërcënoi rritjen e niveleve të ujit me 4-5 metra në ishullin Grand Bahama. Sipas autoriteteve, thuajse 13,000 shtëpi në ishujt Bahama janë shkatërruar.
Uragani, që ra në kategorinë 4 sipas shkallës Saffir-Simpson të Hënën në mbrëmje, kishte erëra të qëndrueshme në 240 kilometra për orë. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve, Dorian pritet t’i drejtohet Veri-Perëndimit ditën e Martë drejt brigjeve të Floridas, Karolinës së Jugut dhe Georgias.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.