‘Doza e katërt nuk mbron nga infeksioni – Studimi në Izrael tregon se rrit antitrupat, por nuk mjafton për Omicron!
Doza e katërt e vaksinës së Covid-19 nxit antitrupat në nivele më të larta se doza e tretë, por nuk është mjaftueshëm për të parandaluar infeksonin me Omicron, sipas një studimi paraprak në Izrael. Qendra Mjekësore Sheba në Izrael, ka dhënë doza të dyta përforcuese në një provë tek stafi i vetë dhe po studion efektin e dozës nxitëse të Pfizer tek 154 njerëz, pas 2 javësh dhe tek doza nxitëse e Moderna tek 120 njerëz pas 1 jave, sipas Gili Regev-Yochay, shefes së njësisë së sëmundjeve infektive. Këto u krahasuan me një grup të kontrollit që nuk mori një dozë të katërt. Ata tek grupi i Moderna kishin marrë më parë 3 doza të vaksinës së Pfizer, sipas spitalit. Vaksinat nxitën një rritje të nivelit të antitrupave, pak më sipër se pas dozës së tretë, sipas Regev-Yochay.
Shefja e njësisë së sëmundjeve infektive shtoi se vendimi për të lejuar dozën e katërt ndaj popullsisë së cënuar, mbase është i justifikuar dhe mund të japë pak përfitim. Megjithatë, ajo tha se nuk ka prova mjaftueshëm që mbështesin vendimin për t’ia dhënë të gjithë popullsisë. Zbulimet, që sipas spitalit ishin të parat të këtij lloji në botë, janë ende në fazën fillestare. Izraeli ishte vendi me normën më të shpejtë në botë të vaksinimit fillestar një vit më parë dhe muajin e kaluar, nisi të ofrojë një dozë të katërt, apo të dytë përforcuese, tek grupet me rrezik të lartë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.