DPPPP Prokurorit të Përgjithshëm: Hetim familjarëve të subjekteve, konfiskime pronash
Scan televizion ka zbardhur tre rekomandimet që Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave i ka bërë Prokurorisë së Përgjithshme në përpjekjet kundër krimit, korrupsionit e parave të pista. bie në sy kërkesa për qartësimin e zbatimit në praktikë të dispozitës ligjore të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i cili parashikon dënimet për pastrimin e parave, si vepër penale e pavarur dhe, në veçanti, rastet kur kjo vepër kryhet nga familjarët apo persona të tretë
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPPP) i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme specializim të prokurorëve në hetimin e parave të pista, hetim familjarëve të subjekteve nën procedim, si dhe rritje të numrit të konfiskimeve. Ajo i ka bërë Prokurorisë disa propozime, mes të cilave bie në sy kërkesa për qartësimin e zbatimit në praktikë të dispozitës ligjore të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i cili parashikon dënimet për pastrimin e parave, si vepër penale e pavarur dhe, në veçanti, rastet kur kjo vepër kryhet nga familjarët apo persona të tretë.
Së dyti, Drejtoria kërkon shtim të rasteve të hetuara dhe gjykuara për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe rritje të numrit të aseteve të konfiskuara në përfundim të gjykimit.
Dhe së treti, specializimin e prokurorëve për këtë kategori veprash penale dhe unifikimin e veprimeve procedurale gjatë hetimit të kësaj kategorie veprash penale.
Sugjerimet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave janë bërë publike në rekomandimet që Kuvendi i ka bërë Prokurorisë së Përgjithshme për luftën ndaj korrupsionit e Pastrimit të parave për vitin 2010. Në dokumentin e Kuvendit nënvizohen rezerva të dukshme lidhur me numrin e ulët të hetimeve dhe rasteve të çuara në gjykatë për veprat penale të korrupsionin e pastrimit të parave.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.