DPSHTRR do të kthehet në ‘brand’- 79.7 milionë lekë për ‘unifikimin’ e drejtorive
DPSHTRR pret të kthehet në ‘brand’. Një fond prej 79.7 milionë lekësh është vënë në dispozicion të rikonceptimit dhe unifikimit të shesheve funksionale në 4 drejtori rajonale të DPSHTRR, përkatësisht në Tiranë, Durrës, Vlorë, si dhe në Elbasan.
Nga ky fond, 44.2 milionë lekë do të shkojnë për Drejtorinë Rajonale Tiranë, ndërsa 35.4 milionë lekë për Drejtoritë Rajonale Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Sipas specifikimeve të tenderit, ajo që po kërkohet është krijimi i veshjeve strukturore të ngjashme me njëra tjetrën në çdo drejtori, pasi aktualisht, janë jo të njëjta. Aplikantët e interesuar mund të paraqesin kërkesat e tyre deri në 2 dhjetor, ora 10:00.
“Projekti duhet të parashikojë një strukturë të jashtme, e cila do ti vendoset fasadave ekzistuese të objekteve në mënyrë që të gjitha fasadat të kenë një pamje të ngjashme me njëra tjetrën, ku të evidentohet lehtësisht brand-imi.
Kjo strukturë duhet të projektohet e sigurtë në ankorimin e saj në fasadat ekzistuese dhe mundësinë e vendosjes ne vendet ku ka struktura të tjera si tenda etj.;
Konceptimin e një elementi që do të jetë identifikues për objektin, si p.sh logoja e miratuar nga Këshilli Drejtues dhe ndonjë detaj tjetër arkitektonik;
Konceptimin e sinjalistikës horizontale për qarkullimin e automjeteve dhe kalimin e këmbësorëve të jetë e tillë që të kihen parasysh shërbimet që kryhen në objektet dhe territoret e çdo Drejtorie Rajonale” shpjegohet në specifikimet teknike.
Tenderi është shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe do të qëndrojë i hapur për të gjithë aplikantët e interesuar deri më 2 dhjetor, ora 10:00
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.