Draghi flet pa “doreza” – “Ka ende nevojë për stimuj. Trump po na shqetëson”
Rritja e Eurozonës mund të jetë duke u përmirësuar, por inflacioni vijon të mbetet i dobët dhe kjo do të thotë se ka akoma nevojë për stimuj, deklaroi numri një i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, një javë përpara takimit të radhës së bordit të politikave monetare.
Me ciklin më të mirë ekonomik në një dekadë, presioni mbi Draghin është rritur ndjeshëm. Vendet më konservatore të rajonit, me Gjermaninë në krye, i kërkojnë kreut të Bankës Qendrore që të braktisë lehtësimin sasior në shkallë të gjerë dhe të fillojë normalizimin e politikave monetare. Për këtë arsye, vendimi i datës 8 Qershor shihet me interes të lartë nga tregjet.
Por Draghi duket i vendosur për të vijuar me politikat monetare akomoduese, si shtysa kryesore ndaj çmimeve.
Draghi njoftoi gjithashtu se, në takimin e Qershorit do të rishikohen edhe projeksionet makroekonomike të rajonit. Veç të tjerash, Mario Draghi lëshoi edhe një deklaratë tjetër të fortë, duke iu shtuar kështu radhës së gjatë të liderëve globalë dhe europianë që kanë kritikuar politikat e Donald Trump.
“Retorika neo-proteksioniste që po përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një faktor për tu shqetësuar”, nënvizoi Mario Draghi.
Deklaratat e tij në Parlamentin Europian në Bruskel erdhën vetëm një ditë pasi Angela Merkel deklaroi se, tashmë Europa ka mbetur vetëm dhe se nuk mund të mbështetet më te aleatët, duke iu referuar qartësisht Washingtonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.