Draghi flet për politikat lehtësuese – “Ka mungesë njohurie, nuk duhen reagime të shpejta ndaj realitetit të ri”
Politikat e pazakonta monetare përbëjnë një sukses, megjithatë ka ende boshllëqe në kuptimin e plotë të këtyre mjeteve të reja, thotë Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, duke paralajmëruar kundër reagimeve të shpejta ndaj realitetit të ri.
Duke theksuar nevojën për kërkime të sakta, Draghi tha se Bankat Qendrore duhet të përgatisin me kujdes hapat e tyre te reja, për shkak të mungesës së njohurisë mbi mënyrën e funksionimit të këtyre politikave.
Komentet e tij vijnë në një kohë që BQE po përballet me një situatë ku ekonomia është në rritje të fortë dhe inflacioni ka mbetur i dobët. Ky është një kombinim që ka ngritur pyetje për vlefshmërinë e ideologjive të vjetra mbi inflacionin, marrëdhënien e këtij treguesi me punësimin si dhe aftësinë e bankave qendrore për të ndikuar nivelin e çmimeve.
“John Keynes është cituar shpesh duke thënë, ‘Kur faktet ndryshojnë, unë ndryshoj mendim’. Për Politikëbërësit nuk është aq e thjeshtë dhe kërkimet na ndihmojnë për të vendosur nëse një ndryshim në fakte meriton një përgjigje politike”, tha Draghi.
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane mbajti fjalimin në konferencën e fituesve të çmimit nobel në Lindau, Gjermani.
BQE nuk është vetëm, pasi procesverbali i takimit të fundit të politikave monetare të Rezervës Federale tregoi se politikëbërësit ishin të shqetësuar mbi vlefshmërinë e modeleve të tyre, duke qenë se inflacioni nuk po rritet pavarësisht arritjes së punësimit të plotë.
Programi i BQE skadon në fund të këtij viti, gjë që do të kërkojë zgjerimin apo përfundimin e blerjes së aktiveve. Ekonomia ndodhet në performancën më të fortë që prej vitit 2011 dhe norma e papunësisë ka shënuar nivelin më të ulët në 8 vite, por inflacioni nuk ka arritur ende objektivin e institucionit në pranë 2%-shit.
“Veprimet e ndërmarra në politikat monetare e në rregullim dhe mbikëqyrje gjatë 10 viteve të fundit, kanë sjellë rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Shumë studime empirike kanë mirëmbajtur suksesin e këtyre politikave, si në SHBA ashtu edhe në Eurozonë”, tha Draghi.
Euro u rrit ndjeshëm pas fjalimit të Draghit, duke arritur deri në 1.1790 kundrejt dollarit amerikan.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.