Draghi në Jacskon Hole – Kërkon durim për politikat e BQE, euro rritet ndjeshëm
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se politikat lehtësuese monetare po funksionojnë, duke sjellë rimëkëmbjen e ekonomisë së Eurozonës pavarësisht se nuk është arritur ende objektivi i inflacionit.
Duke folur në konferencën vjetore të Rezervës Federale në Jacskon Hole, Draghi tha se inflacioni do të arrijë gradualisht në nivelin objektiv, ndërkohë që prodhimi rritet dhe tregu i punës fuqizohet.
Politikëbërësit e bankës do të vendosin në Vjeshtë nëse do të zgjerojnë apo përfundojnë programin e blerjes së titujve prej 2.3 trilionë euro, që skadon në muajin Dhjetor.
“Nuk kemi parë ende konvergjencën e inflacionit me objektivat afat-mesëm, për rrjedhojë, lehtësimi monetar është ende i nevojshëm”, tha Draghi.
Në përfundimin e sesionit tregtar të ditës së Premte, euro u rrit në nivelin më të lartë që prej Janarit 2015, duke prekur 1.1940 kundër dollarit.
Draghi paralajmëroi se ndërsa stimujt monetarë i kanë dhënë nxitje ekonomive në botë, rritja e valës proteksioniste kërcënon tregtinë dhe produktivitetin, duke frenuar kështu rritjen ekonomike.
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane mbrojti gjithashtu rregullimin global financiar, që është forcuar pas krizës, duke mbështetur komentet e kryetares së Rezervës Federale, Janet Yellen.
Ajo tha se reformat e caktuara pas krizës së vitit 2008, kanë fuqizuar sistemin financiar pa penguar rritjen ekonomike dhe se ndryshimet e këtyre rregullave duhet të jenë modeste.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.