Drejt heqjes së roaming në Ballkan? BE paraqet planin, premtohet ulje drastike tarifash
Komisionerja europiane për ekonominë digjitale, Mariya Gabriel, ka prezantuar një plan të gjerë për të ulur tarifat e shërbimit roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lidhja digjitale e Europës me Ballkanin Perëndimor është edhe një prej prioriteteve kyçe të Bullgarisë gjatë presidencës së radhës së Bashkimit Europian.
Ajri, transporti dhe arsimi janë sektorë të tjerë ku Sofja zyrtare kërkon të arrijë rezultate brenda këtij 6 mujori. Aktualisht, tarifat e shërbimit roaming janë tepër të larta për klientët në zonën e Ballkanit Perëndimor.
Psh, një bullgar që ndodhet në Maqedoni me një shërbim operator të vendit të tij, duhet të paguajë thuajse 15 euro për një Mb internet dhe 3 euro për një telefonatë jo më të gjatë se 1 minutë.
Edhe për shqiptarët që përdorin shërbimin celular jashtë vendit, tarifat janë relativisht të larta, mesatarisht në 800 lekë për Mb internet dhe rreth 300 lekë mesatarisht për një minutë telefonatë, në varësi të zonës. Madje, tarifat janë të çmendura edhe për vendet fqinje, si Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi.
Edhe AKEP së fundmi ka deklaruar se, brenda Shtatorit me shumë gjasa do të jetë arritur marrëveshja për të ulur tarifat e roaming. Paçka se, tentativa ka pasur edhe më herët, duket se kundërshtia e operatorëve celularë vendas ka bllokuar çdo mundësi suksesi.
Përfaqësues të Komisionit Europian dhe operatorëve telefonikë të rajonit kanë diskutuar disa mënyra për të ulur tarifat dhe mund të eksperimentojnë edhe marrëveshjet tregtare vullnetare mes dy palëve.
Në Bashkimin Europian, në Qershorin e vitit të kaluar, tarifat roaming u eliminuan, por u deshën plot 10 vite negociata. Komisionerja europiane beson se, Ballkanit nuk do t`i duhen kaq vite.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.