Drejtësia për të miturit – Gjonaj: Trajtim në qendrat multifunksionale
Të miturit me dënime alternative tashmë do të trajtohen në qendra multifuksionale për një drejtësi më miqësore me ta. Ministrja e drejtësisë Etida Gjonaj ka prezantuar projektin e ri i cili po pilotohet ne kryeqytet me ngritjen e 5 qendrave të tilla nga bashkia dhe që synohet të shtrihet në mbarë vendin. Kjo nismë vjen në kudër të reformës në drejtësi dhe zbatimit të kodit për drejtësinë penale për të miturit që sipas Gjonaj decentralizon përgjegjësinë duke përfshirë edhe njësitë vendore.
“Ndërhyrja do të jetë ndërsektoriale dhe me angazhim të të gjithë institucioneve përkatëse. Do të restaurojmë zinxhirin mbrojtës për të miturin duke përfshirë në proces të gjitha hallkat, duke filluar me institucionet e sistemit gjyqësor, duke vijuar me institucionet e shërbimeve sociale në nivel vendor dhe më tej me përfshirjen e komunitetit. Do të aplikojmë për herë të parë programet e drejtësisë restauruese me fokus të veçantë ndërmjetësimin, këshillimin dhe edukimin”, u shpreh Gjonaj.
Të pranishme në prezantimin e projektit ishin dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko të cilat prezantuan programet dhe nismat të institucioneve që drejtojnë në mbrojtje të fëmijëve.
“Ajo që vihet re dhe për të cilat strukturat tona kanë patur reagim të menjëhershëm është rritja e rasteve të fëmijëve në situatë risku nga viti në vit, por ajo çka është për t’u vlerësuar është përgjigja e menjëhershme e strukturave shtetërore”, tha Manastirliu.
“Ne do të bëjmë të pamundurën që të monitorojmë me kujdes pikërisht atë që ministrja Manastirliu përmendi, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, punonjësit socialë të cilët duhet të japin ndihmën për këtë aspekt”, shtoi zv/ministrja Kuko.
Një thirrje e rëndësishme për institucionet shqiptare vjen edhe nga ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vahutin e cila theksoi se duhet të edukojnë të miturit. Sipas ambasadores kostoja për edukimin është më e ulët sesa ajo e përfshirjes së tyre në krime dhe ndëshkimit.
“Duhet parandaluar që këta fëmijë të bien viktima të krimit. Nëqoftëse kjo nuk parandalohet, nuk është vetëm një tragjedi për këtë person, por gjithashtu dhe një dështim praktik e moral i sistemit të drejtësisë, sistemit social dhe atij arsimor për të mos ta lejuar këtë lloj gjëje. Duhet pasur parasysh se kostoja që përfshin përsëritja e këtij fëmije të një vepre është shumë herë më e madhe se sa kostoja për ta edukuar, për ta arsimuar atë”, tha Vlahutin.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.