Drejtori i AMF me Dhomën Amerikane të Tregtisë: Ligjet e reja për tregjet e kapitalit rrisin kërkesat për transparencë
Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi takimin me temë: ‘Tregu i kapitaleve dhe listimi në Bursë si një alternativë financimi për korporatat’ pikërisht për bizneset anëtare të saj.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete theksoi gjatë takimit se takimi vjen në një moment të përshtatshëm kur është plotësuar kuadri ligjor, por edhe infrastruktura e nevojshme për të mundësuar funksionalitetin e plotë të tregut të kapitaleve.
“Përmes miratimit të dy ligjeve ‘Për tregjet e kapitalit’ dhe ‘Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive’ është krijuar kuadri i nevojshëm ligjor, i cili shërben si parakusht për mbështetjen e zhvillimit të tregut të kapitaleve. Ligjet e reja diversifikojnë instrumentet dhe mundësitë e investimit në tregjet e kapitalit, si edhe shtojnë kërkesat për transparencë, në mënyrë që sistemi të ofrojë besim. Autoriteti mbetet i angazhuar në plotësimin e të gjithë kuadrit nënligjor e rregullator, në zbatim të ligjeve të reja, ku po asistohet edhe nga ekspertiza e Bankës Botërore,” – theksoi Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv.
Mete vuri në dukje se krahas infrastrukturës ligjore është plotësuar edhe infrastruktura e pas tregtimit, nëpërmjet licencimit të Regjistrit Shqiptar të Titujve ALREG, i cili ka marrë gjithashtu funksionet e një Depozitari Qendror si dhe nënvizoi gjithashtu se zhvillimi i tregut të kapitaleve kërkon angazhimin dhe bashkëveprimin e disa institucioneve me rol kyç në këtë treg.
Sipas tij në këtë kuadër, Autoriteti po bashkëpunon me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në hartimin e një dokumenti strategjik për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
Ai vlerësoi nismën e Dhomës Amerikane të Tregtisë për ndërmarrjen e aktiviteteve të tilla informuese, por edhe sensibilizuese për bizneset, ndërsa theksoi angazhimin e Autoritetit në ndërmarrjen e hapave në funksion të edukimit financiar dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për tregjet e kapitalit dhe alternativat e investimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.