“Drejtoria e muajit” – DRT Durrës performon më mirë në turizëm
Pavarësisht se veprimtaria ekonomike shënoi rritje në pothuajse të gjitha zonat turistike në vend, është Drejtoria Rajonale Tatimore e Durrësit , ajo që është përzgjedhur si “Drejtoria e muajit”, me performancën më të lartë gjatë zbatimit të planit të masave për sektorin e turizmit.
Referuar të dhënave nga tatimet, DRT Durrës shënoi rritje me 10% të qarkullimit me TVSH, gjatë periudhës Qershor – Gusht 2018 ,krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë totale shifra është rreth 44.5 miliardë lekë. Nga ana tjetër rritja e shitjeve më TVSH, u shoqërua me rritje të TVSH-së së pagueshme dhe për DRT Durrës, kjo shifër ishte rreth 13% më e lartë se në periudhën Qershor – Gusht 2017.
Sipas të dhënave, nga listë pagesat për tatimpagues me detyrim dorëzimi deklarate mujore, numri i punonjësve ishte 54,836. Shifra është 6% më e lartë se e njëjta periudhë e marrë në analizë për vitin e kaluar. Ndërsa gjatë gjithë sezonit turistik të këtij viti, numri i bizneseve të reja të regjistruara arriti në 500. Për DRT Durrës, një nga objektivat kryesorë është ruajtja e treguesve pozitivë të punës edhe për pjesën e mbetur të vitit.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.