Dritat e uji, si do të bëhet kompensimi për pensionistët pas rritjes së çmimit
Rritja e ujit në kryeqytet, që do të nisë prej 1 janarit 2018, nuk do të prekë pensionistët dhe familjet që marrin asistencë. Aktualisht në tryezën e diskutimit janë hedhur dhe po shqyrtohen dy variante.
Së pari mendohet që, sikundër ka ndodhur me dritat pas heqjes së fashës për përdorim deri në 300 kilovatë orë, edhe në rastin e ujit të aplikohet një skemë e ngjashme rimbursimi. Por mundësitë që kjo të vihet në zbatim janë të pakta.
Variant i dytë, i cili është edhe më i mundshëm për t’u vënë në jetë, është ai për të lënë të pandryshuar çmimin e ujit për këto kategori. Pra të shikohet mundësia që edhe pas datës 1 janar 2018, faturimi i ujit për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike të vijojë të bëhet me të njëjtin çmim, pra 45 leke/m3 dhe jo 65 lekë, sa edhe do të jetë.
Kjo do të thotë që familje pensionesh mund të harxhojnë mesatarisht 30 m3 ujë, do të vijojë të paguajë në fund të muajit 1350 lekë dhe jo 1950 lekë, sa mund të paguante me çmimin e ndryshuar, shkruan gazeta Panorama.
Nga rritja e çmimit të ujit me 20 lekë për m3 nuk preken edhe disa kategori të tjera sociale:
1.Familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike
2.Familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara
3.Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar
4.Kryefamiljarë që përfitojnë pension pleqërie, shtetëror, dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura
5.Familjarët e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes së vetëpunësuar në sektorin privat.
Dritat
Mbi mënyrën se si do të veprohet me kategoritë që “do të mbrohen” nga rritja e çmimit, Bashkia ka një “precedent”, atë të heqjes së fashës për dritat. Me rritjen e çmimit të energjisë për konsumin nën 300 kilovatë orë, në janar të vitit 2015, qeveria vendosi që të gjithë pensionistët kryefamiljarë me vendbanim në fshat dhe qytet t’i kompensojë 648 lekë në muaj për faturën e dritave.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.