“Dritat, miratoni VKM për të varfërit” – Qytetarët peticion qeverisë, mblidhen mbi 2500 firma
Pak vite më parë Luljeta u detyrua të lidhë aktmarrëveshjen me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke likuiduar një borxh prej 550 mijë lekësh (të reja), ndërsa sot ajo paguan rregullisht faturën mujore. E paralizuar dhe pa asnjë pagesë invaliditeti, ajo së bashku me vajzën, shtyjnë ditën me 500 lekë në ditë, që i fiton bashkëshorti i punësuar në të zezë.
Luljeta i është bashkuar nismës së një grupi aktivistësh, duke firmosur një peticion që i kërkon qeverisë reduktimin e faturës së energjisë elektrike, si një detyrim që rrjedh nga ligji “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Luljeta nuk është e vetmja që ka firmosur këtë peticion. Janë mbi 2500 qytetarë që i kërkojnë qeverisë të miratojë vendimin e vonuar prej vitesh, në mënyrë që familjet e varfra të mund të përfitojnë 210 kw falas në faturën e energjisë elektrike. Ndërkohë që, deri në fillim të javës që vjen, ky numër pritet të shkojë në 4000.
Në rast se kërkesat e qytetarëve nuk do të merren në konsideratë, aktivistët paralajmërojnë protesta.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.