Dritë jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën – PE voton pro rekomandimin
Me 420 vota pro, Komisioni i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) ka votuar pozitivisht për rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza në Europën. E gëzuar që kam marrë dritën jeshile nga Parlamenti Europian, me një shumicë të madhe votash për negociatat me këshillin europian për liberalizimin e vizave për Kosovën! Lufta vazhdon me qeveritë e BE-së, nuk do të ndalemi derisa të arrijmë!” shkruan në twitter, raportuesja e PE Tanja Fajon.
Ky votim i hap rrugë fillimit të bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Europian për këtë çështje, ku negociatat do të drejtohen nga raportuesja Fajon.
Më 30 gusht Komiteti LIBE votoi në favor të liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që qytetarët e të cilit nuk kanë viza për të lëvizur lirisht në vendet anëtare të BE.
Heqja e vizave u propozua për herë të parë nga Komisioni Europian në vitin 2016, por procesi u bllokua për shkak të mosparaqitjes së marrëveshjes kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti, pas tre vitesh debatesh në parlamentin e Kosovës dhe jashtë saj.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.