Duhani vendas pa taksa, ndryshohet ligji – Informaliteti 80 milion euro në vit, Drafti: S’lejohet më mbjellja pa kontratë me grumbulluesit
Rreth 30% e tregut të duhanit në vend është informal, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një humbje prej rreth 80 milionë eurosh në vit në formën e taksave të munguara. Shkak për të cilin, Qeveria po ndërmerr ndryshime të forta në Ligjin për Prodhimin, Përpunimin dhe Tregtimin e Produkteve të Duhanit.
Në relacionin që shoqëron Projektligjin e depozituar tashmë në Kuvend, Këshilli i Ministrave argumenton se Rreth 25-30% e konsumit të duhanit është informal, nuk paguan taksa; Ky duhan informal (duhan i grirë) që nuk paguan taksa i shkakton buxhetit një humbje 20-25 milionë euro. Nëse këtë konsum informal e konvertojmë në cigare të shitura nga furnizuesit formalë, humbjet për buxhetin e shtetit llogariten rreth 80 milionë euro në vit.
Ky konstatim, sipas Këshillit të Ministrave, sjell nevojën e rregullimit të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet fermerëve dhe kompanive grumbullues-përpunuese. Ky projektligj rregullon krijimin e garancisë bankare në masën 100% të vlerës së duhanit të grumbulluar dhe shlyerjen e detyrimit financiar jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga dita e blerjes së duhanit.
Ndryshimi më I rëndësishëm që sjell projektligji është moslejimi I fermerëve të mbjellin duhan nëse nuk kanë nënshkruar paraprakisht një kontratë me grumbulluesit apo prodhuesit.
Projektligji përcakton rregulla të qarta për kultivimin e duhanit duke sanksionuar në ligj lejimin e kultivimit të duhanit vetëm nëse fermeri ka një kontratë me një grumbullues-përpunues (neni 9 i projektligjit), duke kontrolluar në këtë mënyrë territorin e mbjellë me duhan. Në pikën 2, të nenit 9, të këtij projektligji, është përcaktuar se para se fermeri të mbjellë farishtet duhet të dorëzojë një kërkesë me shkrim pranë njësisë përgjegjëse për bujqësinë në rajon (AREB) për të gjitha ngastrat kadastrale të deklaruara për t’i mbjellë me duhan dhe pajisin kultivuesin e duhanit me kartelën personale të konfirmuar për të dhënat faktike.
Në pikën 3, të nenit 9, të këtij projektligji, ndalohet mbjellja e duhanit në fushë para nënshkrimit të kontratës me grumbullues-përpunues të licencuar dhe/ose prodhues produktesh duhani, mbjellja do të fillojë vetëm pasi të jetë nënshkruar kontrata me një grumbullues-përpunues të licencuar.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.