Durrës Plepa-Vlorë do i nënshtrohet rikonstruksionit – Rama: Rruga e Arbrit nis punimet brenda javës
Pas rehabilitimit të gjelbërimit përgjatë aksit Durrës Plepa-Vlorë tre vite më parë, qeveria shprehet e gatshme për të rinisur rikonstruksionin e plotë të këtij segmenti, për ta sjellë brenda standardeve të sigurisë rrugore.
“Brenda programit tonë 1 miliard do të fillojmë shumë shpejt rindërtimin tërësor dhe aty ku mungon ndërtimin e elementeve të munguar të rrugës nga plepat në Durrës dhe në Vlorë.
Është një rrugë kombëtare me rëndësi themelore për zhvillimin e turizmit dhe kjo vetëm rrugë kombëtare me standarde nuk është. Është një amulli e trashëguar nga e shkuara, e arnuar dhe e copëtuar dhe do e bëjmë një rrugë model, nacionale turistike. Mbaroi historia e arnave, hekurishteve, lopëve që kalojnë rrugën sipas rastit.
Dhe ky projekt sigurisht që ka një rëndësi themelore për të gjithë zonën, por do të ketë një rëndësi të madhe dhe për të gjithë Shqipërinë së bashku me projektet e tjera të programit”, tha kryeministri.
Rama zbuloi edhe projektet e tjera prioritare në ndërtimin e segmenteve të nevojshme që do të kenë një impakt pozitiv duke lidhur zonat me njëra-tjetrën.
“Brenda pak javësh përfundojnë edhe lidhjet e kontratave për rrugën e Arbrit dhe fillon puna. Njëkohësisht ne po definojmë projektet e tjera prioritare në të cilat një projekt i rëndësishëm që nuk është brenda programit 1 miliard për rindërtim, por brenda programit të ri të rrugëve me pagesë do të jetë rruga Vorë-Rrogozhinë, e cila praktikisht do ta bëjë lidhjen Tiranë-Fier-Vlorë brenda 1 ore.
Nga ana tjetër do të kompletojmë të gjithë segmentet e munguara të rrugës që lidh Tiranën me Lezhën dhe me Kukësin e Kosovën por edhe pjesën tjetër që lidh faktikisht Shëngjinin me Velipojën, me Ulqinin dhe besoj që në këtë vijë bregdetare shqiptare do të kemi një transformim themelor të infrastrukturës në 4 vitet e ardhshme”, u shpreh Rama.
Qeveria është në fazën e projektimit të disa projekteve që kanë në fokus rindërtimin e infrastrukturës rrugore. I tillë është projekti “1 Miliard” dhe ai i Rrugëve Lidhëse Rajonale, me vlerë 100 milionë euro, financuar nga Banka Botërore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.