Durrës/ Sekuestrohen 1 milion euro pasuri të paluajtshme si dhe mbi 36 milionë lekë. Dyshohen nga aktivitet kriminal
Policia e Durrësit ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme të hollash dhe pasurish të paluajtshme në pronësi të shtetasit XH.S, 57 vjeç, po nga ky qytet.
Seksioni Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë, ka vënë nën sekuestro llogaritë bankarë të të dyshuarit me vlerë 30 milionë lekë dhe 5.770 euro.
Përpos parave janë gjetur dhe 7 pasuri të paluajtshme si truall, banesa dhe apartamente me një vlerë monetare prej 1 milion euro të cilat dyshohet se janë përfituar nga ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm në Itali.
I ndaluari është dënuar edhe në Itali me 3 vjet dhe 6 muaj burg për veprën penale “Gjobëvënie e kryer në bashkëpunim”.
Materialet hetimore janë kaluar prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Durrës për veprime të mëtejshme.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.