“Duty Free” në Aeroportin e Rinasit. Gjykata i jep të drejtë kompanisë, reagon Ministria e Financave: “Keqardhje”
Padia që kompania Albania Duty Free Distribution(ADFD) ka bërë ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për administrimin e zonës “Duty Free” në aeroportin e Rinasit ka përfunduar në favor të kompanisë.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “Duty Free”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë ka gjetur të drejtë në ankimimin e ADFD-së duke i dhënë kështu mundësinë e shfrytëzimit të zonës edhe për 5 vite të tjera siç është paracaktuar edhe në kontratë.
Ndërkohë pas këtij vendimi ka reaguar Ministria e Financave e cila ka shprehur keqardhjen e saj për vendimin e Gjykatës.
Në deklaratë, ministria e thekson këtë vendim për rëndësinë që sistemi gjyqësor ka në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend. Më tej institucioni shprehet se do të jetë i hapur për propozimet e sektorit privat dhe për të mbështetur çdo investitor.
Njoftimi i plotë i Ministrisë:
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Cështjes Administrative Civile, mbi vendimin administrativ për anullimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop.
Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në çështjen në fjale, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend.
Forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për Qeverinë Shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.