Dy kandidatë ‘thyejnë’ herësin e votave në Tiranë! Marrin mandatin e deputetit pavarësisht renditjes. Cilët janë më të votuarit nga PD dhe PS
Partia Demokratike ka marrë në Tiranë 15 mandate ndërsa Partia Socialiste 18 mandate.
Tashmë po zhvillohet procesi i numërimit të votave të kandidatëve. Në rast se ndonjëri prej tyre arrin të thyejë herësin e votave, pra të marrë më shumë se 10 mijë vota, mund t’i zërë vendin atyre që konsiderohen si pjesë e zonës së sigurt.
Por cilët janë kandidatët që kanë marrë më shumë vota por që nuk janë në atë që konsiderohet si zonë e sigurt?
Për Partinë Demokratike , kandidatët që kanë marrë më shumë vota deri tani janë Petrit Doda me 4 mijë e 802 vota dhe Asllan Dogjani me 4 mijë e 638 vota. Deri tani janë numëruar 879 qendra votimi nga 1243 që janë në total në të gjithë Tiranën.
Për Partinë Socialiste që ka marrë 18 mandate, kandidatët që janë poshtë këtij numri dhe që kanë marrë më shumë vota janë Fatmir Xhafaj i renditur i 23-i në listë, me 12 mijë e 188 vota, që praktikisht e ka plotësuar numrin e nevojshëm për të marrë mandatin e deputetit.
Po ashtu, edhe Ornaldo Rakipaj, i renditur i 30-i ka arritur të plotësojë votat e nevojshme për marrjen e mandatit të deputetit. Ai ka marrë deri tani 11 mijë e 432 vota.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.