Dy vite pas zgjedhjeve, Hillary Clinton “kthen faqen”
Deklarata më e fundit në lidhje me emigrantët i ka kushtuar Hillary Clinton një furi kritikash. Clinton tha në një intervistë se politikat liberale të Europës kundrejt emigrantëve janë arsyeja kryesore e fuqizimit të retorikës populiste.
“Mendoj se Europa duhet ta marrë në dorë sepse ata janë shkëndija fillestare”, shprehu Clinton në një intervistë për “The Guardian” disa ditë para zgjedhjeve në Amerikë.
Ish-sekretarja e shtetit theksoi se e admironte zemërgjerësinë e liderave europianë si Angela Merkel, të cilët iu hapën dyert emigrantëve të luftës që erdhën nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
“Unë e admiroj qasjen e ndjekur nga udhëheqës si Angela Merkel, mirëpo duhet thënë se Europa tashmë e ka bërë detyrën e saj dhe ka ardhur momenti të dërgojë një mesazh të qartë. Ne nuk do ofrojmë më mbështetje për refugjatët, pasi nëse vazhdojmë ta bëjmë do trondisë themelet e politikës”, vazhdoi ajo.
Këto deklarata të Clinton janë parë si një devijim ndaj asaj që ajo mbronte në vitin 2016, gjatë fushatës zgjedhore për president, kundër Trump. sipas kritikëve, kjo mënyrë e të menduarit i jep pikë shtrirjes së mëtejshme të së djathtës ekstreme dhe populizmit. Njëkohësisht, tregojnë se brenda demokratëve ka mospërputhje sa i përket qëndrimit ndaj emigracionit.
Më shumë se një milionë emigrantë hynë në Europë në vitin 2015, por që prej atëherë shifrat kanë pësuar rënie. Më pak se 100,000 emigrantë mendohen të kenë zbarkuar në brigjet europiane vitin e fundit, edhe për shkak të politikave që së fundmi po mbështet dhe Clinton.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se partitë e ekstremit të djathtë kanë patur një shtrirje në Europë gjatë viteve të fundit. Kandidatë me qëndrime të qartë kundër emigrantëve, tashmë drejtojnë shtete të rëndësishme si Polonia, Hungaria, Italia dhe Austria.
Përgatiti për SCAN: Ergisa Bejkollari
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.