Dyfishim të ardhurash nga parkimi – Rrugë të reja në sistem taksimi dhe parkingje shtesë
Të ardhurat nga parkimi publik në kryeqytet kanë pësuar rritje të konsiderueshme nga viti në vit, por parashikimet janë edhe më optimiste, ku për 3 vitet e ardhshme pritet thuajse dyfishim i tyre.
Referuar buxhetit të Bashkisë së Tiranës, të ardhurat nga tarifa e parkimit që paguajnë qytetarët për vitin që lamë pas kanë qenë në nivelin e 292 milion lekëve, me rritje progresive nga viti në vit.
Ndërsa për vitin 2018 parashikohet të shkojnë në vlerën e 450 milion lekëve, për vitin 2019 në vlerën e 469.9 milion lekëve dhe në vitin 2020, të ardhurat nga parkimi publik pritet të arrijnë 490.8 milion lekë.
Parkimi me bileta është ai që sjellë të ardhurat më të larta në buxhetin e bashkisë. Rritja e ndjeshme e të ardhurave ka ardhur nga tarifa që është vendosur në disa rrugë kryesore të kryeqytetit, nga parkimet publike që janë vënë në funksion gjatë viti që lamë pas, si dhe nga terminalet e reja te autobusëve.
Megjithatë gjatë këtij viti, pritet që shumë rrugë të reja të futen në projektin e taksimit si dhe të vihen në funksion parkingje të reja publike që janë ende në proces.
Tarifa për parkimin e automjeteve në vend parkime publike përfaqëson pagesën e shërbimit që ofron Bashkia e Tiranës për vendqëndrime të mjeteve kundrejt biletës, atyre të rezervuara dhe për taksitë e licencuara.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.