Dyshim për pastrim parash – Policia vendos në sekuestro preventive disa pasuri me vlerë 1.5 milion euro
Në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale Policia e Shtetit njofton se ka finalizuar operacionin policor i koduar “Kuadrati” gjatë të cilit ka vendosur sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.500.000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.
Sipas njoftimit nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Kuadrati”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 26.11.2020, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetases R. H.,(Z)., 49 vjeçe, banuese në Fier.
Policia bën me dije se në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, ku vlera totale e pasurive të sekuestruara në Vlorë dhe Pogradec shkon rreth 1.500.000 euro, konkretisht:
- Një bar restorant në Skelë, Vlorë;
- Një apartament në Vlorë;
- Një apartament në Pogradec;
- Një automjet tip “Benz”.
Policia e Shtetit njofton se shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Sh.Z, i ekstraduar në Itali, është dënuar nga autoritetet italiane me 14 vjet burg dhe këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal, ndaj shtetasit Shaban Zenaj, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.