E-Albania, rreth 2 mln vizita për shtatorin – Certifikatat familjare në krye të listës, shërbimi më i përdorur
Rreth 2 milionë vizita janë regjistruar në portalin e-Albania vetëm gjatë muajit shtator. Sipas statistikave mujore të bëra publike nga e-Albania, gjatë kësaj periudhe një mujore janë regjistruar mbi 31 mijë përdorues të rinj.
Ndërkohë, sa i takon shërbimeve më të përdorura nga qytetarët në shtator, certifikatat familjare vijojnë të kryesojnë listën edhe për këtë muaj, ndjekur nga vërtetimi për pagimin e kontributeve për individin dhe certifikatat personale.
Po ashtu, në listën e shërbimeve më të përdorura nga vizitorët renditen edhe aplikimet për kartë shëndeti, deklarimi dhe pagesa e kontributeve nga punëdhënësit, si dhe aplikimi për leje ndërtimi.
Ndërsa, lidhur me shërbimet më të përdorura të muajit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sipas të dhënave analitike të e-Albania, rezulton se aplikimi për pasaportë dhe kartë identiteti është përdorur më së shumti, me 4580 aplikime të regjistruara.
Aplikimi për leje kalimi, aplikimi për prokurë të posaçme si dhe aplikimi për vizë janë edhe disa nga shërbimet e tjera më të përdorura nga vizitorët gjatë shtatori në MEPJ.
Lidhur me numrin total të përdorimeve të shërbimeve elektronike, muajin e kaluar janë regjistruar 460 019 të tilla, për 1348 shërbime të ofruara nga portali qeveritar e-Albania.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.