E ardhmja e Britanisë në BE: Çfarë pritet të ndodhë sot? Skenarët
Parlamenti anglez vendos sot për fatin e Britanisë së Madhe në Europë, por edhe të ardhmen e Theresa May-t në politikë. Pas dy vitesh punë, May prezantoi ditën e djeshme para ministrave të saj, draftin e marrëveshjes 500-faqëshe me BE-në. Ndërkohë që sot në mesditë pritet të votohet marrëveshja nga ministrat. Sipas mediave britanike, gjasat janë që një pjesë e konservatorëve dhe sigurisht opozita, ta lënë May-n në baltë dhe Britaninë pa një marrëveshje.
Çfarë përmban marrëveshja BREXIT?
Në të përfshihen kushtet e largimit nga Bashkimi Europian pas më shumë se 40 viteve. Tre elementët kyç që vlejnë të përmenden, janë: e ardhmja e shtetasve europianë që jetojnë në Britani dhe e anasjellta, konsolidimi i aseteve financiare të Britanisë (të vlerësuara në një vlerë 39 miliardë) si dhe statusi i kufirit në Irlandën Veriore.
Kjo e fundit është ajo që shqetëson palët në vend, pasi të gjithë duken të jenë kundër forcimit të kufirit midis republikës irlandeze dhe Irlandës veriore, përkatësisht e para do jetë ende pjesë e BE-së ndërsa e dyta do jetë jashtë unionit. Forcimi i kufijve do sillte jo vetëm vështirësi ekonomike dhe tregtare, por edhe rrezikun për një konflikt të ashpër.
Kush e rrezikon pozitën e May-t?
Mediat britanike shkruajnë se dje në mbrëmje, Theresa është takuar personalisht me secilin nga ministrat në përpjekje për ti bindur ta mbështesin. Megjithatë, shumë prej tyre e kanë bërë të qartë vendimin kundër, duke krijuar nevojën për të marrë mbështetje nga opozita. Rreziku ekziston dhe që disa prej ministrave të japin dorëheqjen duke shkaktuar kështu zvogëlimin e mazhorancës në parlament.
Argumenti kryesor mbi të cilin mbështetet “mosmbështetja” është fakti që kjo marrëveshje shihet si një mënyrë e BE-së për ta mbajtur Britaninë të varur në vitet në vijim nëpërmjet çështjes së kufirit irlandez. Një gjë e tillë bie ndesh me parimin mbi të cilin u krye dhe referendumi BREXIT: shkëputje totale nga unioni, pa asnjë varësi.
Një nga iniciatorët kryesorë të BREXIT, Boris Johnson, tashmë i dorëhequr, shprehu qartë se kjo marrëveshje është një “kurth” që do e lidhë Britaninë me Brukselin për shumë gjatë.
Çfarë pritet të ndodhë?
Skenarët janë dy: miratimi ose refuzimi i marrëveshjes. Në rast se votohet skenari i parë, në ditët në vijim rishikohet drafti nga BE-ja. Në fund nëntori ose fillim dhjetori, liderat e 27 vendeve anëtare do të votojnë draftin dhe në 29 maj nis procesi zyrtar i largimit. Ky proces tranzicioni do të zgjasë 2 vjet deri në 31 dhjetor të vitit 2020, kur Britania do të largohet përfundimisht nga tregu i përbashkët europian.
Në rastin kur marrëveshja nuk merr mbështetje, pritet që në 29 mars Britania të largohet nga BE-ja pa kushte duke shkaktuar kështu një kaos për të dyja palët.
Përgatiti: Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.