E ardhmja e infermierisë! Super-heronjtë e ndihmuar nga teknologjia
Nga Renato Hysenllari/SCAN Magazine
Profesioni i infermierit, sot për sot, është ndër më të kërkuarit dhe lidhet drejtpërdrejt me jetën e shumë njerëzve. Infermieria kërkon një kujdes të madh, vëmendje, përkushtim dhe shumë punë; me pak fjalë, gjithçka që duhet për të qenë një njeri. Shpikjet e fundit teknologjike mund të jenë një përsosje e madhe për këtë profesion, që shpeshherë ka në dorë jetët tona. Ato mund të vijnë në ndihmë, në rastet kur duhen bërë shumë veprime përnjëherësh, duke lehtësuar kështu barrën e një situate të vështirë. Le të shohim së bashku, se si teknologjia do të jetë një mbështetje e madhe. Fuqia e infermierëve fillon që në gjenezë të jetës njerëzore; që në momentin kur lind një fëmijë. Infermierët përkujdesen për bebet e sapolindura dhe nënat e tyre, duke kontrolluar gjendjen mjekësore dhe shumë probleme, të cilat lidhen me çështjen në fjalë. Infermierët asistojnë mjekët me procedura mjekësore; përgatisin pacientët për ndërhyrje kirurgjikale; japin ndihmë gjatë dhe pas operacioneve; kontrollojnë shenjat jetësore, si gjaku, rrahjet e zemrës; merren me detyrat administrative; bashkëveprojnë me mjekët gjatë çështjeve rehabilituese, apo parandaluese.
Robotika mund të kryejë punët monotone
Manaxhimi mjekësor, dezinfektimi, zhvendosja e pajisjeve mjekësore, nga një sallë, apo pavijon, në tjetrin, zhvendosja e pacientëve që nuk mund të lëvizin nga shtrati, si dhe mirëpritja e të afërmve të pacientëve në spital, janë disa prej gjërave të zakonshme që bën një infermier. Të gjitha, sa theksuam më sipër mund të kryhen edhe me ndihmën e robotikës. Në botë janë vënë në përdorim robotët, TUG si dhe RoboCourier, të cilët bëjnë transportimin e pajisjeve mjekësore në spitale, të barnave, të pajisjeve laboratorike, apo të atyre, të cilat kërkojnë një kujdes të veçantë. Këta robotë u mundësojnë infermierëve, që kohën që do të shpenzonin duke kryer këto procedura, ta shfrytëzojnë me pacientët. Robotët e llojit Xenex mund të ndihmojnë infermierët, për të mbajtur nivelin më të lartë të higjienës, pasi ata mund të bëjnë një dezinfektim të shpejtë dhe sistematik, të çfarëdo lloji hapësire, me një lehtësi të madhe. Përtej ndihmës së robotëve ka edhe disa risi të tjera, të cilat mund të japin mbështetjen e tyre, për pacientët që ndodhen në situata të vështira. Disa robotë shoqërues mund të bëjnë shoqëri për pacientët, të cilët ndihen të vetëm, apo për t’i ndihmuar ata, për të trajtuar çështjet e shëndetit mendor. Të tillë janë robotët, Jibo, Pepper, Paro, Dinsow dhe Buddy. Roboti Paro ka pamjen e një foke dhe është i specializuar për të hequr stresin dhe vetminë te pacientët. Pepper, nga ana tjetër, është një robot social, 1.2 metër i gjatë, i cili “punon” si recepsion në disa spitale në Belgjikë.
Telemjekësia, në ndihmë të komuniteteve të izoluara
Me përparimin e teknologjisë, praktika e këshillimit të pacientëve nëpërmjet telefonit, u kthye në një realitet të tele-mjekësisë. Kjo mënyrë ka qenë më e efektshmja, për të trajtuar sëmundje të shkallëve të lehta, apo në rastet kur, pacientët nuk kanë qenë në gjendje për të lëvizur nga shtëpitë e tyre, për shkak të sëmundjes, apo për çështje transporti. Infermieria, nëpërmjet tele-mjekësisë mund të jetë një zgjidhje tepër e efektshme, si në rastet e urgjencave, ashtu edhe në ato të jourgjencave. Për më tepër, në rastet e urgjencës, infermierët mund të mbikëqyrin nivelin e oksigjenit të pacientëve, rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, presionin e gjakut, glukozën, etj. Nga ana tjetër, në rastet jourgjente, infermierët mund të marrin të dhënat e presionit të gjakut të pacientëve të tyre, apo glukozës, në moment. Ata, gjithashtu, mund të instruktojnë pacientët e tyre, se si të mjekojnë një plagë të vogël, apo djegie të shkallëve të ulëta.
Marrja e gjakut nëpërmjet teknologjisë
Procesi i marrjes së kampionit të gjakut, në shumicën e rasteve, është i dhimbshëm, si për pacientët, ashtu edhe infermierët. Njerëzit, zakonisht, nuk i kanë qejf aget, ndërsa infermierët, në disa raste hasin vështirësi në gjetjen e venës së duhur. Robotët e rinj, si Veebot, apo skanuesit e venave, si VeinViewer, apoAccuVein mund të ofrojnë ndihmë. Në rastin e robotëve të marrjes së gjakut, këto pajisje e reduktojnë të gjithë procesin, në një minutë dhe testimet kanë treguar se mund të identifikojnë në mënyrë korrekte venën më të mirë, me një saktësi prej 83%. Skanerat e venave, nga ana tjetër, përdorin teknologjinë e realitetit virtual të shtuar, për të lehtësuar, si punën e infermierëve, ashtu edhe atë të pacientëve. Për shembull: AccuVein projekton venat e pacientëve në lëkurë, nëpërmjet teknologjisë së realitetit të shtuar, “AR”, duke iu treguar infermierëve dhe mjekëve për vendndodhjen e kapilarëve të gjakut. Kjo mënyrë është testuar në më shumë se 10 milionë pacientë dhe e ka bërë gjetjen e venës së gjakut, rreth 3.5 herë më të shpejtë dhe më të saktë. Versionet e tij, të printueshme në 3D, janë hedhur në treg, për të ndihmuar mjekët dhe infermierët në vendet në nevojë.
Shpjegimi i gjuhës së ndërlikuar mjekësore, nëpërmjet printimit 3D
Printimi 3D në mjekësi mund të bëjë gjëra të mrekullueshme, si për shembull: modelimi i organeve, apo printimi i protezave, e në të ardhmen, (mbase) printimi i organeve. Shumë prej këtyre risive mund të përmirësojnë në mënyrë përfundimtare punën e infermierëve. Marrim si shembull infermierët, të cilët janë përgjegjës për shpjegimin e procedurave mjekësore dhe kujdesin kritik ndaj pacientëve, të cilëve, printimi 3D mund t’iu japë qasje tek pajisjet që mund të përmirësojnë procesin e punës së tyre. Një model i saktë i pjesëve të trupit dhe organeve mund të shërbejë si një mjet i paçmueshëm, për të përmirësuar komunikimet midis pacientëve dhe atyre që ofrojnë kujdes ndaj tyre.
Realiteti virtual, për edukim dhe lehtësim dhimbjeje
Edukimi mjekësor, ndërhyrjet kirurgjikale, mjekimet e rehabilitimit, psikiatria dhe psikologjia mund të përfitojnë nga teknologjia e realiteti virtual, (VR), sikundër edhe kujdesi i infermierëve. Simulimet virtuale mund të mbështesin fazën e trajnimit të infermierëve, duke i përgatitur ata për situatat e emergjencës, siç mund të jetë ajo e arrestit kardiak. Spitali i Fëmijëve në Miami është duke përdorur teknologjinë e realitetit virtual, për të trajnuar punonjësit, mbi procedurat, si dhe kujdesin për plagët. Ata përdorin një platformë të realitetit virtual, për të trajnuar infermieret e reja, nëpërmjet mënyrës interaktive, duke ndërmarrë vendime kritike në kohë reale. Për më tepër, realiteti virtual mund të bëhet një mjet i mirë për infiermierët, për të lehtësuar dhimbjen kronike te pacientët. Në Los Angeles, ky mjet përdoret te pacientët, duke lehtësuar dhimbjet, pa patur nevojë për ilaçe.
Robotë të vegjël dhe pilula digjitale
Robotët e quajtur Chatbots kanë një të ardhme të ndritur përpara në mjekësi. Ata ndihmojnë në organizimin e mënyrave të trajtimit të pacientëve dhe e bëjnë manaxhimin e mjekimit, më të efektshëm. Nga ana tjetër, këta robotë ndihmojnë në situata urgjente, duke dhënë ndihmën e parë, apo ofruar një zgjidhje për çështjet e lehta mjekësore. Të gjitha këto cilësi i bëjnë ata një mjet shumë të domosdoshëm për infermierët e së ardhmes. Një prej këtyre robotëve, i quajtur “Florence” është një infermiere personale elektronike, në ngjyrë blu, e cila iu kujton pacientëve për të marrë hapet dhe mund të jetë e dobishme për të sëmurët në moshë të madhe. “Catalia Health Platform” ka hedhur në qarkullim robotin e quajtur Mabu, i cili shërben vetëm për të kujtuar pacientët për të marrë ilaçet. Në shumë raste ka ndërlikime, të cilat fillojnë me vetë ilaçin. Pilulat digjitale mund të jenë një zgjidhje e efektshme dhe Administrata e Ilaçeve dhe Ushqimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka miratuar prodhimin e parë, për pacientët me skizofreni dhe çrregullime bipolare.
Robotët nuk do të zënë vendin e punës së infermierëve
Vitet e fundit ka ekzistuar bindja se, për shumë nga profesionet, në të ardhmen, mund të zëvendësohen nga robotët. Pavarësisht kësaj frike të inteligjencës artificiale, robotëve dhe automatizimit në përgjithësi, ka disa profesione që mendohet se nuk mund të kryhen nga makineritë. Statistikat tregojnë se vendet e punës në mjekësi, e më saktë, në infermieri janë një fushë me një rritje të vazhdueshme dhe kërkesa për infermierë do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen. Kjo, sidomos për arsye se popullatat globale vazhdojnë të plaken, paralelisht me zgjerimin e madh të industrisë së kujdesit shëndetësor. Kujtojmë këtu se kompani shumë të fuqishme, siç mund të përmendet “Google” e kanë zhvendosur vëmendjen e tyre në shpikjet për kujdesin shëndetësor. Infermieria, si profesion, kërkon aftësi të rafinuara sociale, nivel të lartë empatie dhe inteligjence emocionale. Të gjitha këto cilësi nuk mund t’i ofrojë një robot, makineri, apo algoritëm, (të paktën deri në ditët e sotme). Në një kohë kur ka një rritje të madhe të kërkesës për infermierë do të ketë pjesë të punës, të cilët do të mbulohen nga teknologjia e realitetit virtual dhe të shtuar, nga robotët, apo nga printimet tridimensionale. Infermierët mund të marrin përfitime të mëdha nga teknologjia, duke i bërë detyrat e tyre të përditshmërisë, më të lehta, më krijuese, më të efektshme dhe duke kursyer shumë nga koha e tyre. Shkencëtarët nënvizojnë se, nëse infermierët nuk fillojnë të mirëkuptojnë këtë teknologji dhe të bëhen pjesëmarrës në zhvillimin dhe zbatimin e saj, mund të ketë humbje nga të dyja anët, si nga pacientët, ashtu edhe nga vetë mjekët.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.