“E ardhmja e tregtisë britanike”, Studimi: Covid-19 dhe Brexit do t’i kushtojnë vendit $174 mld në vit
Kriza e Covid-19 dhe dështimi për të arritur një marrëveshje tregtare pas Brexit me Bashkimin Europian, mund t’i kushtojë Mbretërisë së Bashkuar 134 miliardë paund (174 mld USD) çdo vit tek PBB, për një dekadë, sipas një studimi. Kryeministri Boris Johnson ka caktuar 15 Tetorin si një afat për arritjen e marrëveshjes tregtare, që do të hyjë në fuqi kur Britania të përfundojë periudhën e tranzicionit në fund të këtij viti.
Sipas raportit “E ardhmja e tregtisë britanike” nga firma Baker & Mckenzie, Covid-19 do të reduktojë PBB në Britani me 2.2% poshtë niveleve të pritura përpara pandemisë. Përveç kësaj, Brexit, edhe nëse arrihet një marrëveshje tregtare, do t’i shkurtojë vendit 3.1% në afat-gjatë. Megjithatë, marrëveshja tregtare është e rëndësishme, pasi nëse ajo nuk arrihet, kosto e Brexit do të rritej në 3.9% të PBB në afat-gjatë.
“Pavarësisht përgatitjeve nga bizneset për të kompensuar kostot shtesë të Brexit, duke rikonfiguruar zinxhirët e furnizimit, rënie e të ardhurave në eksporte për prodhuesit britanikë do të jetë e madhe”,- shkruhet në studim. Kundërshtuesit e daljes së Britanisë nga Europa thonë se Brexit do t’i kushtojë shtrenjtë vendit, si në para edhe në fuqi, për dekada me radhë. Nga ana tjetër, përkrahësit e Brexit thonë se do të ketë kosto në afat-shkurtër, por në të ardhmen, përfitimet politike dhe ekonomike do të tejkalojnë kostot, ndërkohë që Britania do jetë e lirë të caktojë prioritetet e veta.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.