“E-banking” për fermerët – Qeveria japoneze financon sistemin e Fed Invest
Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar financoi me 890 mijë euro rinovimin e sistemin elektronik të shoqërisë së kursim-kreditit Fed Invest. Mes të tjerash, ky investim do t’iu mundësojë fermerëve anëtarë të Fed Invest shërbime dhe produkte të reja financiare. Falë këtij investimi, klientët në zonat rurale do të kenë akses më të gjerë në shërbimet e pagesave, duke përfshirë edhe ato përmes internetit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se qeveria më vitet e fundit ka shtuar incentivat për bujqësinë dhe ka punuar paralelisht për formalizimin e sektorit.
Shoqëritë e Kursim-Kreditit kanë rezultuar si një nga instrumentet më efikase për të çuar shërbimet financiare në zonat rurale të vendit. Duke qenë se bankat apo institucionet financiare klasike janë pak të pranishme në zonat rurale, modernizimi i shërbimeve të shoqërive të kursim-kreditit është i rëndësishëm për një përfshirje më të lartë financiare në këtë segment të tregut. Sipas të dhënave të FED Invest, ajo përfshin rreth 51 mijë anëtarë, kryesisht fermerë dhe banorë të zonave rurale të vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.