E enjtja, “ankthi” i tregjeve – Britanikët votojnë, ndërkohë që BQE vendos
Gjatë javës së ardhshme, fokusi i tregjeve do të jenë zgjedhjet në Britaninë e Madhe dhe vendimi i Bankës Qendrore Europiane, ku priten surpriza.
Madje, të dyja ngjarjet janë në të njëjtën ditë, të Enjten 8 Qershor, ç`ka mund të prodhojë edhe shumë surpriza në ecurinë e tregjeve të aksioneve dhe atë të të monedhave.
Sa i përket zgjedhjeve në Mbretërinë e Bashkuar, Theresa May projektohet të fitojë, por sondazhet flasin për mungesën e një mazhorance, ç`ka do ta çonte vendin në një krizë parlamentare.
Ky skenar do të prodhonte përplasje të shumta jo vetëm brenda vendit, por kryesisht në Bruksel gjatë negociatave për Brexit.
Mungesa e një mazhorance pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, përkthehet në një dobësim të Mbretërisë, duke vendosur Bashkimin Europian në pozita force.
Në kohën që britanikët do të votojnë, anëtarët e bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane do të takohen në Tallinn të Estonisë.
Nuk priten vendime sa i përket politikave monetare, por priten rishikime të ndjeshme të kuadrit makroekonomik, por edhe sinjale të mundshme sa i përket kohës së ndërhyrjes.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.