E marta e zezë/Rënia e Wall Street, tërmeti që shkundi ekonominë amerikane
Nëntëdhjetë vjet më parë, ekonomia e fuqishme amerikane pësoi një tërmet kataklizmik nga i cili do të duhej një dekadë e tërë për tu shëruar. Nige Tassell rikujton ngjarjet gjatë dhe pas Wall Street Crash 1929.
Të martën e 24 tetorit 1929, Wall Street – një rrugë e ngushtë në anën jugore të Manhattan Island – ishte jashtëzakonisht e mbushur. Ekstremisht e mbushur!
Ndërtesa më e rëndësishme e rrugës, Bursa e Nju Jorkut, nuk u hap atë për biznesin deri në orën 10 të mëngjesit, ndërkohë që turmat e mëdha vijonin të mblidheshin.
Kjo nuk ishte një gjë për mirë. Nuk ishte festa e një fitoreje. Atë ditë atmosfera ishte e mbushur me shqetësim, me frikë, me panik. Në orën e fundit të tregtimit të pasdites së një dite më parë, tregu financiar kishte rënë, 2.6 milion aksionet e shitura me çmimet e zhvlerësuara kishin krijuar një rrjedhë kaotike të biznesit.
Kaos është ndoshta një përcaktim shumë i butë. Ishte një uragan. Shqetësimi kudo në rrugët e Manhatanit të nesërmen ishte plotësisht i kuptueshëm. Tregu vijoi spiralen në rënie edhe për pjesën tjetër të asaj jave.
Po ashtu nisi edhe java tjetër. Të hënën pasuese vlera e aksioneve ra 12.8 përqind. Të Martën – tashmë e njohur si E marta e Zezë – u regjistrua një rënie e thelluar edhe me 12 për qind tjera. Ata që ishin mbledhur një ditë më parë të shqetësuar, tani ishin dëshpëruar krejtësisht. Siç raportoi New York Times, rënia në Wall Street, e përjetuar si shkatërrim financiar personal, ishte e gjithëpranishme. “Nuk kishte buzëqeshje. As lot. Vetëm vuajtje. Të gjithë i thonin fqinjit të tyre se sa kishin humbur. Askush nuk donte të dëgjonte më”.
Vitet e rritjes
Askush e çonte në mendje atë që ndodhi gjatë atyre gjashtë ditëve në tetor 1929. Për shumë vite ekonomia e SHBA kishte qenë në lulëzim. Për dallim nga kombet e tjera industriale – të cilat, pas katër viteve shkatërruese të Luftës së Parë Botërore, u dëmtuan rëndë – SHBA, falë hyrjes së saj të vonë në luftë, thjeshtë pati ca pasiguri financiare. Dekada në vijim qe një transformim i jashtëzakonshëm, nga industria deri tek kultura, nga njëri breg tek tjetri. Rritja ishte e lartë.
“Punët ishin të bollshme dhe pagat u rritën në mënyrë të qëndrueshme” vëzhgonte gazetari financiar i Wall Street, Karen Blumenthal. Vitet 1920 nuk kishin vetëm këngë me ritme xhazi, apo lëkundjet e vallëzimit Charleston. Ata zhurmonin nga besimi dhe optimizmi i një epoke në lulëzim. Gjatë atyre njëzet viteve të zhurmshme, industrialistët dhe bankierët qenë bërë heronj të kombit, ata admiroheshin për pasuritë që kishin krijuar. Të njëtën gjë e fantazaonte e gjithë shtresa e mesme në SHBA.
Charles Mitchell, presidenti i National City Bank do të ishte njëri nga ata njerëz që do ta niste drejt përfundimit këtë periudhë të zhvillimi ekonomik. Mitchell u frymëzua nga suksesi i “bonove të lirisë”, të cilat ishin lëshuar për publikun gjatë dy viteve të fundit të Luftës së Parë Botërore, si një mënyrë financimi që solli triumfin e Aleancës në luftë.
I promovuar edhe nga ikonat kulturore si Charlie Chaplin dhe Al Jolson, publiku e pa një shpenzim të tillë si detyrë patriotike. Po kur prej tyre fitohej një interes deri në 4.25 përqind, ata u panë edhe si një mundësi e vlefshme investimi. Të nënshkruara nga qeveria, suksesi i bonove të lirisë e ndikoi mendjen e publikut. Vendosja e kursimeve në këto aksione dhe në tregun financiar tani ishte diçka që ja vlente, ndryshe nga kohët e mëparshme kur qe konsideruar e rrezikshme. Mitchell hapi zyrat e ndërmjetësve në të gjithë vendin, duke i dhënë një inkurajim mashtrimit me tregun e aksioneve. Nga mesi i viteve 1920, tre milion amerikanë kishin investituar në aksione, të joshur nga tërheqja magnetike e pasurimit të shpejtë në një mënyrë aq të thjeshtë.
Në mars 1928, aksionerë nga ata të Montgomeri Ward deri tek blerësit e aksioneve të General Electric panë që paratë e tyre u dyfishuan për vetëm 18 muaj. Shija e dollarëve ishte e parezistueshme. Madje edhe për biznesmenët konservatorë që e kishin pësuar më parë. “Tregu ishte magjepsur – shkruan Blumenthal – pjesë e një kohe emocionuese që dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Politikanët, profesorët dhe biznesmenët shpallën se kjo ishte një epokë e re, ku ulje-ngritjet e dikurshme nuk kishin më vend.”
Shenjat paralajmëruese
Ndërsa flluska vazhdonte të zgjerohej, askush nuk po e shikonte elefantin në dhomë. Shumica e aksioneve të investuara nga shtresa e mesme amerikane, ishin blerë pjesërisht duke marrë hua nga ndërmjetësit. Kishte raste që 90 përqind e çmimit të blerjes ishte hua. Mjaftonte një tronditje e vetme në treg dhe shtresa e mesme do ta pësonte keq.
Gjithcka po luhej si në bixhoz. Para rënies përfundimtare në tetor 1929, çmimet patën një rënie të lehtë muajin e mëparshëm. Sigurisht kjo mori pak vëmendje. Ekspertët e panë që tregu po tejnxehej, por e konsideruan si një vibrim të lehtë që nuk sjell asgjë të keqe. Lojtarët më të mprehtë i shfrytëzuan rëniet e çmimeve. Në fund të fundit, pas çdo tronditje gjatë viteve të kaluara, aksioneve u ishte dashur mjaft kohë për të rimarrë pozicionin e tyre të mëparshëm.
Por ata gjashtë ditë tetori ishin ndryshe. Ata i dhanë një goditje gati-fatale ekonomisë amerikane në tërësi, ata i dhanë një goditje fatale jetesës personale të miliona amerikanëve. Industria hyri në ditë të vështira, pasi besimi në kredi – dhe në besueshmërinë e sistemit bankar – u shemb. Mungesa e parave për të vijuar punën dhe për të paguar rrogat ishte e madhe. Si rezultat prodhimi u rrënua; prodhimi i makinave, simboli i kohërave të mira të viteve 20, u reduktua në vetëm 25 për qind e asaj që kishte qenë vetëm tre vjet më parë. Papunësia u rrit gjithashtu në mënyrë spektakolare.
Gjashtë muaj pas ngjarjeve të tetorit 1929, totali i të papunëve u dyfishua në 3.25 milion. Ishin kohë të dëshpëruara. Historiani Hugh Brogan shkroi: “Rënia ndoqi skemën nga humbja e vendit të punës në kërkimin e saj brenda të njëtës linjë; pastaj kërkim i ethshëm kudo të kishte punë, në vijim paraqitja e parë në radhën e bukës, ku për çudi, takoje dhjetëra burra të tjerë të ndershëm, të papunë.
Të papunët rurale u zhvendosën masivisht në kërkim të punës në pluhurin e thatësirave të Teksasit dhe Oklahomës apo edhe më në perëndim në fermat bujqësore në Kaliforni ose në plantacionet e jugut të largët, apo edhe në veri drejt qyteteve të industrializuara. Ishin kohë të pasigurisë ekonomike. Veshja e shoqërisë amerikane po grisej.
Fundi i depresionit
Wall Street Crash nuk qe shkaku i Depresionit të Madh, ai vetëm sa shënoi fillimin e tij. Ishte si një sulm që pësonte në zemër dikush që vuante nga tensioni i lartë i gjakut. Ekonomia edhe pse kishte në gjendje para-ekzistuese, u godit nga dobësi themelore. Kujdesi i mëparshëm ndaj saj – sidomos nga administrata e Presidentit Herbert Hoover – qe i pamjaftueshëm.
Presidenti republikan priti deri kur vendi hyri në krizë, duke shpresuar se qëndrimi laissez faire do ti nxiste biznesin dhe bankat të mbështesnin ekonominë. Dobësia e tij si person nuk e ndihmoi në këtë argument.
Bashkëqytetarët e tij u goditën edhe më shumë nga Depresioni i Madh, humbën shtëpitë dhe po jetonin nëpër rrugë, si njerëz të cilët kritikët e Presidentit i quajtën “Hoovervilles”. Kështu nuk ishte befasi që në zgjedhjet presidenciale të vitit 1932, Hoover u hodh në mënyrë ceremoniale jashtë Shtëpisë së Bardhë nga pasardhësi i tij, demokrati Franklin Roosevelt, që fitoi 57.4 për qind të votës popullore.
Mandati bindës, i shoqëruar me shumicën në të dy dhomat e Kongresit, lejonte një trajtim të guximshëm të fatkeqësisë së vendit. Pas dështimit të Hoover, zërat publikë për ndërhyrjen e qeverinë ishin shurdhuese. Në përurimin e tij në mars 1933, Roosevelt u përpoq të siguronte dhe bashkonte popullatën e shqetësuar.
“Njerëzit e Shteteve të Bashkuara nuk kanë dështuar. Me votën e tyre, ata më kanë dhënë një mandat me dëshirën për veprim të menjëhershëm të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm. Detyra jonë më e madhe dhe kryesore është të sigurojmë punë për njerëzit. Ky nuk është problem i pazgjidhshëm nëse e trajtojmë me mençuri e guxim.
Mund të arrihet pjesërisht me rekrutimet e drejtpërdrejta nga vetë qeveria, pasi ne do të veprojmë si në urgjencën e një lufte.” Efekti qe i menjëhershëm. “Brenda disa minutave, shkruajti Brogan, Roosevelt bëri atë që Hoover nuk e bëri për katër vjet: ai u ktheu bashkatdhetarëve të tij shpresën dhe energjinë. Deri në fund të javës, ai mori gjysmë milion letra mirënjohje”.
Shpëtimi Rusvelt
Në 100 ditët e tij të para në detyrë, Roosevelt i mbajti premtimet e tij. Ndërhyrja e tij qe e fusqishme dhe e drejtpërdrejtë nëpërmjet 15 ligjeve kryesore që synonin krijimin e vendeve të punës dhe rindërtimin e industries dhe ekonomisë, e në mënyrë simbolike ringjalljen e besimit.
Hapat legjislativ që ai bëri ishin të shpejtë dhe të konsiderueshëm. Akti i Rregullimit të Menjëhershëm të Bankave synonte të stabilizonte dhe të rivendoste besimin në sistemin bankar përmes prezantimit të sigurimit federal të depozitave, ndërsa Administrata Federale e Ndihmës ofroi mbështetje për të varfërit nga batanijet dhe ushqimet deri tek mundësitë për punësim.
Punë u ofrua gjithashtu edhe për ata që u regjistruan në Korpusin e Mbrojtjes Civile, i cili i vendosi të papunët në kampe gjashtëmujore, duke punuar në projekte ndërtimore për 30 dollarë në muaj.
Në vitin e fundit, më 1942 në këtë skemë ishin përfshirë 2.5 milion të punësuar. Punë sigurohej edhe nëpërmjet ofertës së Administratës së Punëve Publike, e ngritur për të përmirësuar infrastrukturën e vendit. Programi i Roosevelt – i njohur si New Deal – ishte revolucionar në mënyrën se si e përfshiu qeverinë federale, që më parë kishte qenë e pandjeshme, në jetën e përditshme, në zemër të rimëkëmbjes së kombit.
Por pavarësisht rezultatit mbresëlënës, kombi nuk ishte plotësisht i bashkuar pas kësaj ideje. Disa demokratë mendonin se nuk duhej të shkonin aq larg me ndërhyrjet, ndërsa shumë republikanë, duke i bërë jehonë qëndrimit të mbajtur më parë nga Hoover, mendonin se ky ishte një rol i padëshiruar dhe pushtues i një qeverie të madhe.
Pavarësisht se sa energjizuese qe New Deal për kombin, ajo nuk e shëroi Depresionin e Madh. Prodhimi nuk arriti aq sa shpresonte Roosevelt, ndërsa papunësia mbeti e lartë përgjatë gjithë viteve ’30. Suksesi i tij, sidoqoftë, i matur me fitoret e mëtejshme në zgjedhjet presidenciale, qe një motivim dhe frymëzim.
Depresioni i Madh u mbyll nga një ngjarje jashtë kontrollit të Presidentit. Ishte koha kur japonezët bombarduan Pearl Harbour në 1941, duke detyruar SHBA të hynte në L2B, duke i dhënë një shtytje të fortë ekonomisë. Për të furnizuar trupat jashtë shtetit, prodhimi në industri dhe bujqësi u zgjerua me shpejtësi, duke krijuar miliona vende pune.
Koha e lulëzimit po rikthehej.
Nige Tassell – BBC, History Revealed/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.