E përditshmja austriake “Kronen Zeitung”: Shqipëria, perla e harruar e Adriatikut
E përditshmja austriake “Kronen Zeitung” i ka kushtuar Shqipërisë një artikull të veçantë, duke e cilësuar atë si perla e harruar e Adriatikut. Artikulli përshkruan me detaje një panoramë të të gjitha bukurive natyrore, duke e cilësuar vendin tonë si një nga sekretet e pakta që ‘fsheh’ Europa. Para së gjithash, ndalet edhe te e kaluara historike, duke sjellë në vëmendje edhe Enver Hoxhën dhe bunkerët.
“Ndërsa diktatura përparonte, diktatori e lidhi Shqipërinë me bunkerë. Duhet të ketë deri në 700 000. Megjithëse jo gjithmonë të dukshme, reliket janë kudo – në fusha perimesh, ullishte, kopshte, në plazh.”
Mikpritja e shqiptarëve është edhe një tjetër element që përshkruhet në artikull, sipas të cilit ajo së bashku me sinqeriteti dhe ngrohtësinë i kanë befasuar tej mase vizitorët.
Apollonia, bregdeti,’ qyteti i gurtë i Gjirokastrës’ dhe ai i ‘1001 dritareve të Beratit’, nuk i ka shpëtuar vëmendjes së “Kronen Zeitung”.
“Bota e lashtë zbulohet në Apolloni.Mbetjet e tempujve, teatrit dhe të tregut të Apollonisë ende mund të vizitohen.”
“Parku Kombëtar është prapa nesh dhe riviera shqiptare është përpara nesh. Saranda në jug është parajsa.”
E ndërsa ndalet te Gjirokastra dhe Berati, dy qytetet e listuara në thesaret arkitekturore të UNESCO-s, “Kronen Zeitung”, shkruan:
“Në “qytetin e gurëve” vështirë se ka një rrugë pa pjerrësi. Një shëtitje nëpër rrugët dredha-dredha dhe kështjellën e fuqishme, por ia vlen.”
“Qyteti i 1001 dritareve” është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha që rreshtohen në dy shpatet e luginës.”
Ndërkohë, artikulli mbyllet me kryeqytetin, Tiranën, aty ku sërish shfaqet një bunker.
“Në kryeqytet, ne arrijmë përsëri te një bunker nga koha e Hoxhës. Në qendër të kryeqytet qëndron Bunk’Art.”
Vetëm vitin e kaluar rreth 30 mijë turistë austriakë kanë vizituar vendin Shqipërinë duke shijuar bukuritë natyrore, por jo vetëm. Gjatë këtij viti sipas përllogaritjeve, numri i vizitorëve austriakë pritet të rritet deri në 50 për qind.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.