E premtja e zezë e bën Bezos të kapë 100 miliardë dollarë – Shifra nuk arrihej që prej vitit 1999
Pasuria Jeff Bezos kapi për herë të parë 12 shifra, sipas Bloomberg, duke shtuar brenda natën 2.35 miliardë dollarë. Pasuria e themeluesit të Amazon llogaritet tani në 100.3 miliardë dollarë, teksa aksionet e kompanisë së shitjeve u rritën më mbi 2% pas optimizmit nga shitjet e të Premtes së Zezë.
Shitjet online për këtë ditë u rritën me 18.4% në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa investitorët po vënë baste se kompania do të zërë një pjesë edhe më të madhe në shpenzimet online që bëhen për sezonin e dhuratave të fundvitit.
Ai bëhet miliarderi i parë që kap një vlerë të tillë që prej vitit 1999, kur shifrën e arriti edhe bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates në vitin 1999.
Tashmë, rritja vjetore për Bezos llogaritet në 34.9 miliardë dollarë, rritja më e madhe në Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg, një renditje ditore e 500 njerëzve më të pasur të botës. Vetëm këtë javë Amazon është ngjitur me 5%.
Sa herë që Bezos shton pasurinë e tij dhe kap limite të reja, mediat shtrojnë të njëjtën pyetje: “Çfarë do të bëjë me paratë?”
Ndryshe nga krijuesit e Microsoft dhe Facebook, Bezos nuk operon një organizatë bamirësie, ndaj nuk është e qartë plotësisht se si i shpenzon ato që nuk i nevojiten.
Ndërkohë, në renditjen e miliarderëve, ndër ata që po bëjnë hapa të shpejtë në ngjitjen e klasifikimit është edhe Mark Zuckerbeg, i renditur i 5-ti. Shumë shpejt megjithatë, ai pritet të kapë vendin e tretë, i cili ndodhet vetëm 3,4 miliardë dollarë larg. Gjatë këtij, themeluesi i Facebook ka shtuar pasurinë e tij me 25,4 miliardë dollarë.
Ndër emrat që kanë shtuar më shumë këtë vit është edhe Bernard Arnault, francezi i cili kontrollon gjysmën e grupit Louis Vuitton dhe Tony Ma, bashkëthemeluesi i kompanisë kineze të mesazheve Tencent.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.