E “Premtja e Zezë” në SHBA – Mes rritjes së infektimeve, konsumatorët zgjedhin blerjet “online”
E Premtja e Zezë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar rrënjësit shitjet, gjatë këtij viti. Për shkak të pandemisë, kanë qenë të paktë ata që i janë drejtuar fizikisht qendrave tregtare, ndërsa janë preferuar blerjet online.
Blerësit amerikanë të pajisur me maska dhe në numër të vogël i janë drejtuar shitësve kryesorë me pakicë në SHBA, si Macy’s, Walmart dhe Best Buy gjatë së Premtes së Zezë. Blerjet online dhe frika nga infektimet me Covid-19 e kanë zbehur entuziazmin për të shkuar në qendrat tregtare. Shitësit me pakicë e riformatuan tërësisht ditën tradicionale të blerjeve, që vjen menjëherë pas Ditës së Falenderimeve.
Gjatë periudhës së pandemisë, rrjetet kryesore të shitjeve i kanë filluar promocionet e të Premtes së Zezë që në tetor, për të tërhequr sa më shumë blerës. Autoritetet bënë thirrje për të shmangur qendrat tregtare për shkak se rreziku i infektimeve ishte shumë i lartë. Adobe Analytics parashikon se e Premtja e Zezë dhe e Hëna Kibernetike do të jenë dy ditët me shitjet më të mëdha online në histori, me 8.9 miliardë dollarë dhe 10.6 miliardë dollarë respektivisht.
Adobe vlerëson se shitjet online do të jenë mes 20% dhe 29% më të larta krahasuar me vitin 2019. Rreth 42% e blerjeve kanë ardhur nga smartfonat, në rritje me 7% krahasuar me vitin e kaluar. Kompania ka analizuar transaksionet në internet nga 80 mes 100 shitësve më të mëdhenj në SHBA dhe rezulton se lodrat dhe produktet e kujdesit personal ishin kategoritë më të preferuara nga konsumatorët, në rritje me 294% dhe 278% respektivisht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.