Ecuria e kredisë për biznesin – T1, në rritje ndërtimi dhe industria, tkurret bujqësia me tregtinë dhe shërbimet
Banka e Shqipërisë në raportin e tendencës në kreditim për tremujorin e parë të vitit thekson se “Kredia për sektorin privat ka shfaqur përmirësim të ritmit të rritjes, e mbështetur si nga kredia për biznese, ashtu edhe ajo për individë. Zgjerimi me bazë të gjerë i kreditimit tregon për një rimëkëmbje të qëndrueshme të kërkesës për kredi nga sektori privat, si dhe një përqasje më aktive të bankave në adresimin e kësaj kërkese”.
“Përmirësimi i kredisë për biznese vijon të mbështet nga kredia për investime, por ndryshe nga tremujori paraardhës, ky përmirësim ka qenë më së shumti në lekë. Po kështu, kredia për biznesin e madh ka përcaktuar përmirësimin e normave të rritjes së portofolit. Sipas sektorëve të ekonomisë vihet re se kreditë për ndërtimin dhe industrinë kanë dhënë kontributin kryesor në këtë përmirësim, duke balancuar edhe ngadalësimin e sektorëve të tjerë”-nënvizon Banka e Shqipërisë mes rreshtave në raport.
“Financimi i bizneseve sipas sektorëve të ekonomisë tregon se rritja e portofolit për tremujorin e parë ka qenë e përqendruar tek sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit. Normat e rritjes vjetore të kredisë për këta dy sektorë kanë shënuar përmirësim, përkatësisht në 10.0% dhe 14.0%. Gjithashtu, rritja e ndjeshme tremujore e këtyre dy portofoleve ka kompensuar tkurrjen e kredisë për sektorin e bujqësisë dhe atë të tregtisë dhe shërbimeve. Krahasuar me një vit më parë, normat e rritjes së kredisë për dy sektorët e fundit janë ngadalësuar në përkatësisht 6.0% dhe 7.0%. Ndërkohë, kredia për sektorin e bujqësisë u tkurr për herë të parë në dy vitet e fundit. Këto zhvillime janë reflektuar në rritjen e peshës së sektorit të industrisë dhe të ndërtimit në totalin e kredisë, në 26.0% dhe 14.5% përkatësisht. Ndërkohë, vihet re tkurrje e peshës së kredisë për sektorin e tregtisë, shërbimeve dhe bujqësisë, respektivisht në 43.9%, 14.4% dhe 1.2%, të kredisë totale për biznese”-nënvizon institucioni.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.