Edhe Serbia bën reformë në administratë – BE e mbështet me 3.6 milionë euro fonde
Bashkimi Europian do t’i alokojë Serbisë 3.6 milionë euro gjatë tre viteve të ardhshme për të vazhduar projektin e reformës në administratën publike. Fokusi i ndryshimit do të jetë menaxhimi i burimeve njerëzore, deklaroi të hënën shefi i delegacionit të BE në Serbi, Sam Fabrizi.
Sipas tij, reforma strukturore në administratën e shtetit dhe vetëqeverisja lokale është arritja më e madhe e çdo vendi në rrugëtimin drejt anëtarësimit.
“Duhet të jeni transparentë dhe eficientë. Unë përgëzoj kryeministren Ana Brnabic që vendosi fokusin në këtë sferë. Një njeri duhet të dijë si shpenzohen paratë, ndërsa punonjësit në administratën publike duhet të jenë të sjellshëm ndaj qytetarëve të tyre”, tha Fabrizi.
Një tjetër zhvillim që pritet të prekë sektorin publik në Serbi është edhe hyrja në fuqi e ligjit për pagat në administratë. Edhe kjo reformë do të jetë nën monitorimin e kujdesshëm nga ana e Bashkimit Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.