Edhe Viena shkurton projeksionet! Wiiw: Rritja ekonomike e Shqipërisë ngadalësohet në 2.8% këtë vit
Pas Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare, tani edhe Instituti i Vienës për studime ekonomike ndërkombëtare ka ulur projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë këtë vit.
Projeksionet e reja flasin për 2.8% rritje gjatë këtij viti, nga 3.8% që ishin parashikimet në pranverë. Kështu, Instituti i Vienës rezulton të jetë tashmë organi më pesimist sa i përket ecurisë së ekonomisë shqiptare këtë vit.
Banka Botërore flet për një rritje në 2.9%, Fondi Monetar Ndërkombëtar sinjalizon 3%, ndërsa së fundmi qeveria shqiptare u ripoziconua karshi projeksioneve duke pranuar një normë rritje pranë 3.4%.
Sa i përket vitit të ardhshëm ndërkohë, si dhe vitit 2021, Instituti i Vienës ka ruajtur të pandryshuara projeksionet, në 3.8% dhe 3.4% respektivisht.
Projeksionet e reja për vitin aktual sinjalizojnë se, Shqipëria do të jetë vendi i dytë në rajon me rritjen më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket çmimeve të konsumit, Instituti i Vienës flet për një normë në 1.7% këtë vit, dhe një rimëkëmbje deri në 2.4% në 2021.
Papunësia projektohet të zbresë deri në 10.5% në 2021 ndërkohë. Instituti i Vienës nënvizon faktin se, e gjithë ekonomia e rajonit është ngadalësuar dhe se kjo është një rrjedhojë e pashmangshme e ngadalësimit global.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.