Efektet e ligjit të faljes – Tatimet mesazh-njoftimi bizneseve për fshirjen e detyrimeve
Të gjitha subjektet që përfitojnë nga ligji i faljes do të njoftohen nga administrate tatimore.
Në udhëzimin e nxjerrë nga Ministria e Financave, shpjegohet se për çdo subjekt që përfiton ose jo nga fshirja e detyrimeve, organi përkatës nxjerr një akt administrativ për këtë qëllim duke njoftuar edhe subjektin.
Kështu administrata tatimore pas përfundimit të fshirjes/shuarjes sipas kushteve të përcaktuara në ligjin do të njoftojë tatimpaguesit në e-Filing system me anë të një mesazhi i cili në përmbajtje të tij do të informojë se:
Në zbatim të ligjit për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, pas fshirjes së detyrimeve tatimore “Ju njoftojmë se efekti i tij është përfshirë në Situatën Tuaj Financiare në sistemin informatik”.
Gjithashtu sipas udhëzimit, subjektet për të cilët fshirja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë fshirje të detyrimit, nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në ligj.
Ndërsa subjektet, të cilët sipas një vendimi të administratës përkatëse, nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative sipas legjislacionit të fushës në fuqi.
E drejta e subjekteve që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji ushtrohet deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.