Efektet e tkurrjes monetare të FED – Disa vende në zhvillim me suficite, nuk do të detyrohen ta ndjekin
Tkurrja monetare në SHBA po trazon shumë tregje në zhvillim në të njëjtën mënyrë si ç’ka ndodhur edhe më parë kur janë rritur normat e interesit, megjithatë, kësaj here mund të ketë edhe përfitime në disa ekonomi aziatike që e pranojnë zhvlerësimin e valutës.
Rritja e normës bazë të interesit nga Rezerva Federale këtë vit dhe perspektiva për më shumë ndërhyrje, ka sjellë rritjen e interesave të borxhit amerikan, duke nxitur investitorët që të dalin nga borxhi më i rrezikshëm i tregjeve në zhvillim, gjë që ka sjellë rënien e mprehtë të valutave të tyre.
Tregjet në Argjentinë, Brazil dhe Turqi morën goditjen më të madhe, ndërsa në Azi, Bankat Qendrore të Indisë, Indonezisë dhe Filipineve, kanë rritur normat e interesit dhe ndërhyrë në tregun e këmbimit për të mbrojtur valutat e tyre.
Megjithatë, ndryshe nga këto vende, që kanë deficite të llogarisë korrente, bankat qendrore në vendet që kanë suficite të jashtme si Tajlandë, Korenë e Jugut dhe Tajvan, nuk ndihen të rrezikuara nga tkurrja monetare e Rezervës Federale.
Sipas analistëve të HSBC, disa nga këto vende nuk do të detyrohen që të reagojnë ndaj veprimeve të Rezervës Federale për shkak se kanë suficite gjigante dhe nuk do ta kishin problem zhvlerësimin e valutës dhe daljen e kapitalit.
Rënia e valutave mund të nxisë inflacionin dhe eksportuesit, në një kohë të pasigurive mbi tregtinë globale. Valutat e Filipineve, Indisë dhe Indonezisë kanë rënë sipër 5%-shit, pavarësisht ndërhyrjeve nga bankat qendrore dhe blerjeve në tregun valutor.
Nga ana tjetër, valutat e Koresë, Tajlandës dhe Tajvanit, kanë rënë me më pak se 3%, ndërkohë që bankat e këtyre vendeve kanë mbajtur normat e interesit në nivele rekord të ulëta. Një nga arsyet se pse vendet që kanë suficite ndodhen në presion më të vogël, janë pozicionimet e investitorëve të huaj.
Në vendet me deficite të mëdha, investitorët zotërojnë tituj borxhi me afat më të shkurtër maturimi, që janë më shumë likuid dhe me më pak rrezik se borxhi afat-gjatë.
Në vendet me suficite, investitorët ndihen më rehat kur zotërojnë tituj afat-gjatë. Një tjetër arsye se pse bankat qendrore nuk do të detyrohen që të ndjekin Rezervën Federale është rritja e Kinës si një fuqi ekonomike, që tregon se Azia është më pak e sinkronizuar me ciklin amerikan se sa ka qenë përpara krizës financiare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.