Ekonomi cash-i. BSH: Kemi nivelet më të larta në Europë
Shqipëria vlerësohet të ketë nivelet më të lartë në Europë, për sa i takon përdorimit të parasë cash në ekonomi. Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, paraja në qarkullim në ekonominë tonë përbën 16.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është afro dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Kjo shifër tregon se ekonomia ka një përdorim të lartë të parasë cash si instrument pagesash, ndërsa zhvillimi i pagesave automatike dhe elektronike është më pak i zhvilluar krahasuar me ekonomitë e Bashkimit Europian dhe Rajonit.
Në fakt, statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në vitet e fundit ka një rritje të volumit të pagesave jocash. Për shembull, pagesat përmes pikave elektronike të shitjeve në vitin 2015 arritën në 12.3 miliardë lekë, afro tre herë më shumë krahasuar me vitin 2008. Rritja në vlerë absolute është e kuptueshme, po të kemi parasysh se për ekonominë tonë këto janë isntrumente relativisht të reja dhe rritja vjen nga një bazë mjaft e ulët.
Por, të gjithë jemi dëshmitarë se shumica e shqiptarëve ende e përdorin kartën bankare kryesisht për të tërhequr para nga bankomati. Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, rezulton se te shqiptarët përdorimi i cash-të në njësitë e blerjes është mbizotërues. Përqindja e të anketuarve që kryejnë zakonisht pagesa cash fillon nga 70% për sai takon pagesave në hotele dhe agjenci udhëtimit, deri në mbi 90% në dyqanet e mallrave të konsumit.
Arsyeja kryesore, sipas anketës, është se shqiptarët e konsiderojnë pagesën cash më të shpejtë dhe më praktike. Megjithatë, studimi evidenton se me rritjen e nivelit arsimor ka edhe një rritje të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Kjo gjetje duket se e adreson mundësinë e rritjes së pagesave jo cash te rritja e nivelit arsimor dhe specifikisht e edukimit financiar.
Gjithashtu, faktorë të tjerë me ndikim është edhe niveli i të ardhurave apo statusi i punësimit. Një nga avantazhet që publiku shqiptar percepton te pagesat elektronike, sipas anketës, është siguria më e lartë krahasuar me transaksionet cash. Ndaj studiuesit e Bankës Qendrore sugjerojnë që promovimi i sigurisë si avantazh konkurrues duhet të jetë në bazë të promovimit të instrumenteve elektronikë të pagesave nga institucionet financiare që ofrojnë këto shërbime.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.