Ekonomia amerikane, në vrull – Rriten shpenzimet konsumatore, inflacioni qëndron në objektiv
Shpenzimet konsumatore në SHBA janë rritur në mënyrë të qëndrueshme në Gusht, duke mbështetur pritshmëritë e një rritje të fortë ekonomike në tremujorin e tretë. Inflacioni ndërkohë, ka qëndruar brenda objektivit të Rezervës Federale në 2% për të 4-in muaj radhazi. Departamenti i Tregtisë deklaroi ditën e Premte se shpenzimet konsumatore, që përbëjnë 2/3-tat e ekonomisë amerikane, u rritën me 0.3% në muajin e kaluar, pas një rritjeje prej 0.4% në Korrik.
Shpenzimet në muajin Gusht janë nxitur nga kujdesi shëndetësor, që kompensoi rënien e automjeteve. Raporti u publikua paralelisht me një serë të dhënash të tjera. Porositë për mallrat kapitale patën rënie në Gusht dhe deficiti tregtar tregoi rritje. Këto bënë që ekonomistët të ulin vlerësimet për Produktin e Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë, në 2.8%. Ekonomia u rrit me 4.2% në tremujorin e dytë, nxitur nga shpenzimet konsumatore si dhe eksportet e mëdha të sojës në Kinë, përpara se Pekini të vendoste tarifa.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina ndodhen në një luftë tregtare dhe ekonomistët kanë paralajmëruar se mund të cënojë konsumin dhe investimet e bizneseve. Indeksi i shpenzimeve personale për konsum, që përjashton komponentët e luhatur të energjisë dhe ushqimeve, mbeti i pandryshuar në 2%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.