Ekonomia do të rritet më pak – Banka Botërore: Rreziqet po shtohen, përfshi ato politike
Ekonomia shqiptare do të rritet më pak për dy vitet në vazhdim. Në raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore vlerëson se rënia ekonomike do të bjerë në 3.8% këtë vit dhe 3.6% vitin e ardhshëm.
Madje, rreziqet për një rritje edhe më të dobët janë të larta, të lidhura si me faktorë të brendshëm, ashtu edhe me të jashtëm. Edhe në këndvështrimin e Bankës Botërore, pasiguria politike po bëhet një faktor që rrezikon gjithnjë e më shumë ekonominë dhe vazhdimin e reformave.
Në kushtet kur rreziqet po rriten, Banka Botërore këmbëngul që Shqipëria të vazhdojnë reformat që do të rrisin besimin e investitorëve dhe do të krijojnë vende pune në sektorin privat.
Në pesë vitet e fundit, Shqipëria ka njohur një përmirësim të ndjeshëm të rritjes ekonomike, por në një pjesë të madhe kjo trajektore ka qenë e lidhur me faktorë të përkohshëm. Ndër to kanë qenë shlyerja e sasive të mëdha të detyrimeve të prapambetura buxhetore, projektet e mëdha të investimeve të huaja apo edhe prodhimi i lartë i energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit, siç ndodhi vitin e kaluar. Në mungesë të faktorëve të këtij lloji, ekonomia shqiptare ende duket se nuk ka konsoliduar burime më të qëndrueshme të rritjes, megjithë sinjalet pozitive nga sektori i turizmit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.