Ekonomia e Brazilit në depresion, recesioni kalon periudhën 2-vjeçare
Ekonomia e Brazilit është “zhytur” më tej në recesionin më të keq ndonjëherë, duke u tkurrur me 3.6% në 2016-ën, gjë që ka shtuar presionet mbi politikëbërësit që të stimulojnë rritjen ekonomike.
Ish superfuqia ekonomike e Amerikës latine regjistroi një rënie sipër pritshmërive për tremujorin e katër, në 0.9% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke shënuar të 8-in tremujor radhazi të tkurrjes.
Kjo shënon periudhën më të gjatë në historik të tkurrjes ekonomike për vendin. Ekonomia e Brazilit është tashmë 8% më e vogël se çka qenë në Dhjetor 2014.
Rënia 2-vjeçare ka goditur të gjithë sektorët e ekonomisë, duke shkaktuar një rritje të papunësisë në 12.6%. Më shumë se 12.9 milionë njerëz janë tashmë të papunë në Brazil.
Brazili ka qenë dikur një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë, duke u pozicionuar me germën B në akronimin “Brics” që përbëhet nga 5 ekonomitë më të mëdha me zhvillim të shpejtë (Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut).
Megjithatë, vendi është penguar prej kohësh nga trazirat politike dhe keqmanaxhimi i ekonomisë ka bërë që Produkti i Brendshëm Bruto të bie në territor negative pas përfundimit të boom-it të lëndëve të para në 2011-ën.
Shifrat e reja shtojnë presionet mbi presidentin Michel Temer, i cili erdhi në pushtet pas largimit të paraardhëses Dilma Rousseff, që manipuloi në mënyrë të jashtëligjshme llogaritë qeveritare.
Pas publikimit të të dhënave, Qeveria lajmëroi plane për të zgjeruar Programin e Partneritetit të Investimeve (PPI), që të inkurajojë sipërmarrjet private.
Qeveria parashikon që ky ekspansion të sjellë investime me vlerë 14.4 miliardë dollarë dhe të krijojë 200 mijë vende pune. Një tjetër pengesë për ekonominë e Brazilit është inflacioni i lartë, duke arritur në 11%, gjatë vitit 2016, që është niveli më i lartë në 1 dekadë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.