Ekonomia e cash – Më pak se gjysma e bizneseve kanë llogari bankare
Në fund të muajit korrik, hyri në fuqi ligji i ndryshuar për procedurat tatimore, që do të detyrojë bizneset e regjistruara në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar të hapin llogari bankare. Afati për hapjen e llogarive është 90 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Administrata tatimore nuk ka bërë ende publike shifra rreth numrit të bizneseve që preken nga nga ky detyrim. Megjithatë, sipas disa të dhënave të vitit të kaluar, numri i bizneseve të regjistruar në skemën e TVSH-së është pak më i ulët se 50 mijë.
Instituti i Statistikave raporton numri i bizneseve aktivë në fund të vitit të kaluar ishte pothuajse 163 mijë. Po të përjashtojmë rreth 41 mijë fermerë, numri i ndërmarrjeve tregtare jo-bujqësore rezultonte rreth 122 mijë.
Ndërkohë, mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, numri i llogarive bankare të bizneseve rezidente ishte rreth 60 mijë. Nga këto të dhëna, rezulton që më pak se gjysma e bizneseve aktive në Shqipëri kanë llogari bankare. Realisht, kjo përqindje është edhe më e vogël, po të kemi parasysh se bizneset e përmasave të mëdha dhe të mesme zakonisht kanë disa llogari bankare.
Edhe me ligjin e ri, jo të gjithë bizneset do të jenë të detyruar të kenë llogari bankare. Por, sidoqoftë, këto shifra janë një tjetër dëshmi e tërthortë e nivelit të konsiderueshëm të informalitetit dhe e përdorimit të parasë cash në ekonominë shqiptare. Përmes platformës së fiskalizimit, qeveria shqiptare synon ta ulë evazionin, përmes raportimit tatimor të shitjeve në kohë reale dhe kryqëzimit të informacionit të faturave elektronike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.