“Ekonomia e dijes”, Shqipëria zhgënjen – BERZH: E fundit ndër 46 shtete për sistemin e inovacionit
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka analizuar 46 shtete sa i përket zhvillimit të asaj që e quan “ekonomia e dijes”.
Indeksi i përgjithshëm përllogaritet mbi bazën e 38 nën-indikatorëve të grupuar në 4 shtylla kryesore: institucionet për inovimin, aftësitë për inovacion, sistemet e inovacionit dhe infrastruktura e teknologjisë së informacionit. Mes 46 vendeve të marra në analizë, Shqipëria renditet e 25-ta.
Në rajon lë pas Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën ndërkohë që Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e veriut janë bindshëm më mirë në renditje. Sa i përket shtyllave kryesore, performanca më e mirë vjen në drejtim të institucioneve dhe më e dobëta në drejtim të sistemeve. Madje, në këtë të fundit, situata duket të jetë dramatike pasi Shqipëria rezulton të jetë e fundit mes 46 shteteve, edhe më keq se vende si Armenia apo Moldavia me Ukrainën.
Ky indikator, pra i sistemeve, i referohet shpenzimeve për kërkim, patentave, kërkimit dhe bashkëpunimit shkencor, apo edhe zinxhirit të vlerave. Indeksi është bërë për periudhën 2011-2018 dhe tregon se në harkun e këtyre 7 viteve të analizuara, Shqipëria është ndër vendet që ka bërë progresin të madh, sidomos në drejtim të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit. Sa i përket sistemeve ndërkohë, vendi ynë rezulton të ketë bërë hapa pas që prej vitit 2011.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.