Ekonomia e SHBA – Ngadalësohet më pak se vlerësimi fillestar në tremujorin e parë
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u ngadalësua më pak se sa u vlerësua fillimisht për tremujorin e parë, megjithatë, investimet e bizneseve dhe shpenzimet konsumatore po zbehin projeksionet për një përshpejtim në tremujorin e dytë.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë vjetore prej 1.2% krahasuar me 0.7% që u raportua fillimisht, deklaron Departamenti i Tregtisë, duke dhënë vlerësimin e dytë për tremujorin e parë.
Pavarësisht rishikimit në rritje, kjo ishte performanca më e dobët në 1 vit dhe vjen pas një rritje me 2.1% në tremujorin e katërt 2016.
Ekonomistët thonë se treguesit ekonomik nuk sugjerojnë për një rimëkëmbje të fortë në tremujorin e dytë.
Ngadalësimi i ekonomisë për tremujorin e parë solli një goditje për objektivin ambicioz të Donald Trump. Gjatë fushatës presidenciale 2016, Trump premtoi se do ta rrisë normën vjetore në 4%.
Trump propozoi një serë masash për të nxitur rritjen ekonomike, përfshirë ulje të taksave për individët dhe korporatat.
Megjithatë, analistët janë skeptikë se stimujt fiskal do të fuqizojnë ekonominë, duke marrë parasysh produktivitetin e ulët dhe dobësitë në tregun e punës në disa zona.
Qeveria rriti vlerësimin fillestar të shpenzimeve konsumatore, por shtoi se investimet në inventar ishin shumë më të vogla se sa u raportua më parë. Defiçiti tregtar rezultoi gjithashtu më i vogël se vlerësimet e muajit të kaluar.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.