Ekonomia gjermane, në stanjacion – Tregtia neto ndikon në T4, koronavirusi zbeh perspektivën
Rënia e eksporteve ka penguar aktivitetin ekonomik në Gjermani në tremujorin e katërt 2019, duke treguar se ekonomia më e madhe e Europës ndodhej në stanjacion përpara shfaqjes së koronavirusit.
Prodhuesit gjermanë të varur ndaj eksporteve po pësojnë goditje prej ngadalësimit të ekonomisë botërore, pasigurisë në lidhje me Brexit dhe luftës tregtare.
Zyra Federale e Statistikave raportoi se eksportet ranë me 0.2% në tremujorin e katërt dhe tregtia neto i hoqi 0.6% rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto.
Perspektiva tregtare qëndron e zymtë, ndërkohë që koronavirusi po ndikon tek zinxhirët botëror të furnizimit, sipas Institutit për hulumtime ekonomike, Ifo.
Investimet bruto, që përfshijnë ndërtimin, u rritën me 2.9% në tremujorin e fundit të 2019-s, duke i shtuar rritjes ekonomike 0.6%.
Konsumi shtetëror shtoi 0.1% tek treguesi përfundimtar, ndërsa konsumi privat, nuk dha kontribut. Zyra e Statistikave konfirmoi se ekonomia gjermane u rrit me 0.6% në vitin e kaluar, që është treguesi më i dobët që prej krizës së borxhit të Eurozonës në 2013-n.
Për këtë vit, qeveria pret një rritje të normës në 1.1%. Analistët thonë se ekonomia gjermane me shumë gjasa do të jetë në stanjacion gjatë gjysmës së parë të vitit, për shkak të rënies së kërkesës botërore.
Ndikimi i koronavirusit tek ekonomia gjermane nëpërmjet ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit dhe rënies së kërkesës nga Kina, ka qenë i ulët deri më tani.
Megjithatë, analistët thonë se vazhdimi i kërkesës së dobët na Kina dhe përhapja e virusit në Europë, do të sjellë rreziqe.
Kina është partneri tregtar kryesor i Gjermanisë dhe prodhuesit e makinave janë të varur nga zinxhirët e furnizimit dhe kërkesa kineze.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.