Ekonomia gjermane në vrull – Investimet, shpenzimet dhe tregtia rrisin ekonominë 0.6%
Ekonomia gjermane u përshpejtua në tremujorin e parë 2017, nxitur nga invesimet më të mëdha në ndërtim, makineri dhe pajisje, shpenzimet më të larta të ekonomive familjare e shtetërore si dhe eksportet e forta.
Zyra Federale e Statistikave raportoi se ekonomia më e madhe e Europës u rrit me 0.6% në tremujorin e parë, pas një rritjeje me 0.4% në tre muajt e fundit të 2016-ës. Rezultati ishte në përputhje me projeksionet e analistëve dhe norma më e fortë që prej tremujorit të parë 2016.
“Për shkak të motit të butë, investimet në ndërtim dhe në makineri e pajisje rezultuan tejet të forta në krahasim me tremujorin e kaluar”, deklaroi zyra e Statistikave.
Shteti dhe ekonomitë familjare kanë rritur shpenzimet e tyre për konsum në fillim të vitit. Zyra shtoi se tregtia e jashtme ka rifituar vrull dhe ka mbështetur rritjen ekonomike ndërkohë që eksportet u rritën më shumë se importet.
Me bazë vjetore, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 1.7% për tremujorin, shifër gjithashtu brenda projeksioneve. Analistët thonë se ekonomia gjermane ndodhet në performancë tejet të fortë por do të ketë nevojë për mbështetje nëpërmjet normave të interesit që janë aktualisht shumë të ulëta për vendin. Shifrat tregojnë gjithashtu fuqinë e Gjermanisë përballë homologëve.
Ekonomia franceze, e dyta më e madhe në Europë, u rrit me 0.3% në tremujorin e parë. Në Itali, që është ekonomia e tretë më e madhe, Banka Qendrore ka projektuar një rritje me 0.2%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.