Ekonomia nis “shërimin” vitin e ardhshëm – Parashikimet/ Rritja ekonomike 5.9 për qind, ulet borxhi
Pas pasojave të rënda të lëna nga COVID-19 dhe tërmeti i 26 Nëntorit, ekonomia shqiptare pritet të nisë “shërimin” në vitin 2021 dhe më tej. Ministria e Financave, në kuadrin makroekonomik dhe fiskal 2021-2023 projekton që pas recensionit të fortë në vitin 2020, ku rritja ekonomike parashikohet në -4.3 për qind, ekonomia pritet të rekuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Konkretisht, rritja ekonomike parashikohet në 5.9 për qind në vitin 2021 dhe të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 4 për qind përgjatë periudhës afatmesme në vijim.
Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Kuadri fiskal afatmesëm synon gjithashtu një deficit fiskal të përgjithshëm prej 4.2 për qind të PBB-së-së për 2021, nga 8.4 për qind i programuar për vitin 2020; i cili do të vijojë në zbritje duke arritur ne 1.3 për qind në vitin 2023. Ndërkaq, balanca primare pritet të shënojë vlera negative edhe për vitin 2021, në rreth 1.7 për qind, ndërkohë që targetohet në vijimësi rikthimi në vlera pozitive që në vitin 2022.
Ndërsa borxhi publik targetohet në rreth 65 për qind të PBB-së deri në vitin 2025 nga rreth 80 për qind që pritet të rezultojë më 2020-n. Të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim (2021–2023) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 8.7 për qind në çdo vit, ndërsa të ardhurat tatimore për këtë periudhë parashikohen me një rritje mesatare vjetore prej rreth 9.5 për qind. Shpenzimet në tre vitet e ardhshme pritet të jenë mesatarisht në rreth 537 miliardë lekë në çdo vit ose mesatarisht rreth 29.1 për qind e PBB. Investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5 për qind të PBB-së në çdo vit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.