Ekonomia Nr.1 humbet vrullin – SHBA, konsumi dhe shitjet bien gjatë T1
Shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë për të dytin muaj me radhë gjatë Marsit, ndërkohë që çmimet e konsumit u regjistruan po ashtu në rënie për të parën herë në një vit.
Këto të dhëna vulosin humbjen e vrullit të ekonomisë amerikane gjatë tremujorit të parë të vitit. Por, tregu i fortë i punës, me punësimin pranë kapacitetit të plotë, pengon një përmbysjeve të gjasave për ndryshim të politikave monetare nga ana e Rezervës Federale.
Me shumë gjasa, kjo ndërhyrje do të vijë në muajin Qershor. Shitjet me pakicë ranë me 0.2% gjatë muajit Mars, pasi ranë me 0.3% gjatë Shkurtit, e që ishte rënia më e madhe në një vit. Në terma vjetorë ndërkohë, shitjet me pakicë regjistrohen në rritje me 5.2%.
Të dhënat rezultojnë nën pritshmërie e tregjeve dhe analistëve. Të gjitha këto të dhëna sinjalizojnë një konsum të dobët, që me shumë gjasa buron nga vonesat në rimbursimin e tatimit mbi të ardhurat.
Edhe të dhënat e tregut të punës për tremujorin e parë sinjalizojnë një ngadalësim të hapit të krijimit të vendeve të reja të punës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.