Ekonomia, rritje 4 % në tre vitet e ardhshëm – Qeveria parashikon rritje konsumi dhe investime me 5.3 % në vit
Ekonomia shqiptare pritet të rikthehet në një rritje të qëndrueshme përgjatë periudhës afatmesme. Në kuadrin makroekonomik fiskal për periudhën 2023-2025, parashikohet që pas recesionit të fortë në -4 për qind gjatë vitit 2020 dhe rritjes së parashikuar prej 8.7 për në 2021-shin, rritja ekonomike parashikohet në normën mesatarisht rreth 4 për qind në vit përgjatë periudhës afatmesme.
Kjo rritje pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Kështu, konsumi final total për periudhën afatmesme (2023–2025) parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 2.7 për qind në vit, duke kontribuar me rreth 2.5 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mesatarisht në rreth 3.9 për qind në vitet 2023–2025, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 0.9 pikë përqindje në vit.
Sipas dokumentit, të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim synohet të rriten mesatarisht me rreth 5.9 për qind në çdo vit. Shpenzimet publike programohen në rreth 32 për qind e PBB-së. Ndërsa, investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5.3 për qind të PBB-së në çdo vit , i cili konsiderohet një nivel i përshtatshëm për mbështetjen e një rritje ekonomike të lartë e të qëndrueshme. Nga ana tjetër, planifikohet reduktim i nivelit të borxhit publik bruto në rreth 74.6 për qind të PBB- së deri në vitin 2025 nga 80.1 për qind që pritet të rezultojë më 2021 dhe përgjysmim i deficitit fiskal.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.